Vorën e pret transferta e Vlorës, Kasalla: Presioni është te Flamurtari
Vora vijon përgatitjet për takimin kundër Flamurtarit dhe i gjithë stafi teknik është përqendruar në mbarëvajtjen e këtyre përgatitjeve, duke pasur një kontingjent të plotë lojtarësh për këtë ndeshje delikate. Lidhur me këtë takim, sulmuesi vorak Irgi Kasalla, e cilëson si një ndeshje delikate dhe mjaft të vështirë, pasi të dyja skuadrat luftojnë me të njëjtin shpirt gare. Irgi Kasalla ka luajtur 29 ndeshje me Vorën duke u bërë lojtari më i aktivizuar te Vora dhe njëkohësisht mbetet aktualisht dhe golashënuesi më i mirë për këtë skuadër duke shënuar 8 gola ose 1/3 e skuadrës.

Irgi, Çfarë presim në transfertën vlonjate?
Është një ndeshje shumë e vështirë dhe mjaft delikate në momentin që po kalojnë të dyja skuadrat, pasi të dyja kërkojnë të marrin maksimumin nga kjo sfidë. Të dyja skuadrat luftojnë me të njëjtin shpirt gare, pasi e kanë jetike në luftën e tyre për mbijetesë. Edhe pse ndjehemi disi më të favorizuar duke qenë 5 pikë larg tyre, ne nuk jemi të qetë përderisa nuk kemi siguruar mbijetesën, prandaj e cilësoj që kjo ndeshje është delikate për të dyja ekipet. Flamurtari jo vetëm në këtë takim por edhe më parë, ka treguar që është një ekip i vështirë për t’u mundur. Janë një skuadër që luftojnë për çdo top dhe nuk lejojnë hapësira. Por unë dhe shokët e mi shpresojmë shumë në forcën dhe karakterin e skuadrës sonë, nëse do të mund t’ia dalim për ta fituar këtë takim.
Si është gjendja e lojtarëve dhe a është grupi i plotë?
Të gjithë jemi të fokusuar tek ky takim dhe nuk kemi asnjë mungesë por çdo gjë do të varet direkt nga gjendja e çdo lojtari në ditën e ndeshjes. Mendoj se grupi është i plotë dhe po i nënshtrohet urdhrave të trajnerit. Mendoj se në fund javë trajneri do të bëjë përzgjedhjen e duhur të lojtarëve që do të jenë në dispozicion.
A është kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje?
Mendoj se po. Jemi vënë në dispozicion të trajnerit që në fillimin e kësaj jave. Te të gjithë ne është injektuar mentaliteti për të fituar këtë takim, që do të na qetësojë për ndeshjet e ardhshme. Grupi është i motivuar për të dhënë maksimumin dhe jemi të përqendruar për të bërë më të mirën e mundshme. Presioni më shumë është te skuadra vlonjate dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment delikat të tyre.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













