BOKS/ Xhoshua zbulon ndikimin shpirtëror që merr nga Usik
Antoni Xhoshua ka zbuluar ndikimin e madh që Oleksandër Usik ka pasur tek ai pas dy humbjeve të pësuara nga ukrainasi në vitet 2021 dhe 2022. Dy ish-kampionët olimpikë, të cilët u përballën në dy duele të mëdha për titujt botërorë, sot kanë krijuar një marrëdhënie miqësore.

Xhoshua, i cili stërvitet me ekipin e Usik, ka treguar se mësimet më të rëndësishme nuk kanë ardhur vetëm nga boksi. Britaniku theksoi se tek ukrainasi ka vlerësuar veçanërisht përkushtimin, besimin dhe disiplinën. “Kur hyj në palestër, lutem shumë më tepër, ai është shumë i devotshëm dhe këtë mund ta mësoj prej tij”, u shpreh Xhoshua.
Sipas tij, Usik ka një mënyrë të veçantë për t’u përgatitur dhe për të ruajtur përqendrimin në nivelet më të larta. Xhoshua pranoi se humbjet ndaj Usikut e detyruan të reflektonte dhe të kërkonte përmirësime të reja. Ai vlerësoi faktin se ukrainasi arrin të rrisë ritmin dhe të bëjë diferencën në raundet e fundit. “Disiplina është më e rëndësishme se motivimi”, tha ish-kampioni i peshave të rënda, i cili po përgatitet në Spanjë për duelin e 25 korrikut me Kristian Prengën.
PANORAMASPORT.AL













