Drejtori i ri i Juventusit, “Zonja” plotëson hallkat! Masara kthen në skenë 3 ish-milanistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2026 | 23:19

Drejtori i ri i Juventusit, “Zonja” plotëson hallkat! Masara kthen në skenë 3 ish-milanistë

Juventusi ka zyrtarizuar emërimin e Frederik (Riki) Masara si drejtorin e ri sportiv, duke i besuar drejtimin e sektorit sportiv. Drejtuesi italian do të punojë ngushtë me administratorin e deleguar Xhovani Karnevali dhe drejtorin sportiv Marko Otolini, me synimin për të forcuar organizimin e klubit dhe për të menaxhuar strategjinë sportive të ekipit.

MASARA

Masara rikthehet në Torino, qytetin ku ka lindur, pas një karriere të suksesshme si drejtues te Roma dhe Milani, ku së bashku me Paolo Maldinin ndërtoi skuadrën që fi toi titullin kampion të Italisë në vitin 2022. Më pas ai pati një eksperiencë te Rene dhe sezonin e kaluar u rikthye te Roma.

Kielini merr një rol të ri Ndërkohë, Xhorxho Kielini nuk largohet nga Juventusi. Ish-kapiteni bardhezi është emëruar Drejtor Ekzekutiv për Çështjet e Klubit dhe do të merret me marrëdhëniet institucionale të klubit me FIGCnë, UEFA-n, FIFA-n dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Në deklaratën zyrtare, administratori Xhovani Karnevali u shpreh i bindur se struktura e re drejtuese do t’i japë Juventusit bazat e duhura për të realizuar objektivat e klubit në të tashmen dhe të ardhmen, duke vlerësuar eksperiencën dhe profesionalizmin që Masara sjell në Torino. Detyrat e para në merkato dhe 3 ish-milanistë Frederik Masara është zyrtarisht drejtori i ri sportiv i Juventusit dhe ka nisur menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës.

Misioni i parë i Masarës do të jetë përshpejtimi i merkatos së Juventusit. Prioritet do të jenë largimet e lojtarëve që pengojnë afrimet e reja, si edhe zgjidhja e situatës së Randal Kolo Muanit, për të shmangur një telenovelë të ngjashme me atë të verës së kaluar. Në listën e objektivave të bardhezinjve spikasin disa emra të njohur për ish-drejtorin e Milanit.

Për repartin ofensiv, Juventusi po tenton të transferojë Brahim Diaz, i cili mund të ketë më pak hapësira te Real Madridi. Ndërkohë janë rritur ndjeshëm shanset për afrimin e Frank Kesi, tashmë lojtar i lirë pas largimit nga Al Ahli. Në mesfushë mbetet alternativë edhe Leon Goretzka, ndërsa klubi po përgatitet edhe për largime të mundshme, me Andrea Kambiason dhe Teun Kopmeiners mes kandidatëve për t’u shitur.

Për sulmin, Juventusi monitoron situatën e Xhoshua Zirkze, ndërsa në mbrojtje është rikthyer në radar Fikajo Tomori, i cili mund të largohet nga Milani. Objektivi më ambicioz i Masarës mbetet Teo Hernandez. Mbrojtësi francez, i cili dëshiron të rikthehet në Itali pas një sezoni te Al Hilal, mund të ribashkohet me ish-drejtorin që e transferoi te Milani në vitin 2019.

PANORAMASPORT.AL