FSHF ndryshon rregulloren e Superiores për Europën, vendi i 7 mund të luajë finale për të siguruar Ligën e Konferencës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2026 | 22:36

FSHF ndryshon rregulloren e Superiores për Europën, vendi i 7 mund të luajë finale për të siguruar Ligën e Konferencës!

FSHF ka vendosur që të ndryshojë plotësisht strukturën e kampionatit jo vetëm sa i përket garës për titullin kampion apo mbijetesën. Drejtori i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, ka shpjeguar se tashmë një nga vendet në Ligën e Konferencës, mund të përcaktohet nëpërmjet një mini-turneu, që do të jetë në varësi të fituesit të Kupës së Shqipërisë.

MixCollage-08-Jul-2026-10-35-PM-394

“Këtë vit është një risi. Siç e dini, ekipi i renditur në vendin e parë të fazës play-off shkon direkt në Ligën e Kampioneve. Ndërsa për pjesëmarrjen e ekipeve në Ligën e Konferencës, siç e dini fituesi i Kupës dhe vendi i dytë shkojnë automatikisht. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit është ndryshuar rregulli.

Nëse Kupa fitohet nga një nga tre vendet e para në kampionat, vendi i katërt do të zhvillojë ndeshje gjysmëfinale në fushën e saj me një takim me ekipin e parë të grupit “play-out”, që i bie me vendin e 7. Gjithmonë në rastin se fituesi është në tre vendet e para. Gjithashtu vendi i 5-të dhe vendi i 6-të do të zhvillojnë ndeshje midis tyre, ku ajo zhvillohet në fushën e ekipit i cili është renditur më mirë në kampionat.

Do të zhvillohen dy gjysmëfinale, ekipet që janë renditur më mirë janë të favorizuara, pasi në rast barazimi kualifikohen në ndeshjen finale. Ndeshja finale do të zhvillohet në një stadium që do të përcaktohet nga FSHF ku rregullat e lojës janë që në rast barazimi do të ketë dy kohë shtesë dhe më pas në rast barazimi edhe të gjuhen penallti. Fituesi i kësaj finaleje shkon në Ligën e Konferencës”, shpjegoi Sulejmani.

SHIH VIDEON

PANORAMASPORT.AL