Manaj del në stërvitje, zbulohet e ardhmja e tij
Rei Manaj i ka dhënë fund zërave për një largim të mundshëm nga Sivaspor. Sulmuesi shqiptar është rikthyer në Sivas pas përfundimit të pushimeve dhe ka nisur përgatitjet me skuadrën turke. Manaj, i cili iu bashkua Sivasporit gjatë merkatos së dimrit me një kontratë 3.5-vjeçare, ishte në qendër të diskutimeve pas procesit të zgjedhjeve në klub dhe largimit të trajnerit Ismet Tashdemir.

Megjithatë, futbollisti shqiptar u shfaq në stërvitjen e zhvilluar në ambientet e klubit dhe me praninë e tij dha një mesazh të qartë se vazhdon të jetë pjesë e projektit të Sivassporit.
Pak ditë më parë u raportua se Manaj është hequr nga lista e federimit ndërkohë që karshi tij kishte edhe oferta nga skuadra të tjera në Turqi, megjithatë zërat duket se kanë marrë fund dhe vetë lojtari u shpreh kohë më parë se është gati të qëndrojë te skuadra e tij, për të ndihmuar në rikthimin drejt Superligës. Sulmuesi pritet të luajë një rol të rëndësishëm në sezonin e ri, ndërsa klubi turk synon të ndërtojë një skuadër konkurruese rreth lojtarëve kryesorë të saj.
PANORAMASPORT.AL













