Partizani gjeti “Mitralozin”, tani i duhen edhe fishekët…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2026 | 17:18

Partizani gjeti “Mitralozin”, tani i duhen edhe fishekët…

Në futboll, jo gjithmonë emri apo pseudonimi të garanton suksesin. Por ndonjëherë mjafton një nofkë për të ndezur imagjinatën e tifozëve. Te Partizani, shpresa e re mban një pseudonim që tingëllon si këngë lufte: “Mitralierã”, ose siç do ta thoshim ne në shqip, “Mitralozi”. Florin Bratu u prezantua këtë të hënë në krye të “demave të kuq” dhe që në fjalët e para nuk la vend për interpretime.

bratu keko

Objektivi është vetëm një, titulli kampion. Fjalë të mëdha, por edhe klubi që ka zgjedhur nuk pranon objektiva të vegjël. Partizani nuk është ndërtuar për të qenë spektator, por protagonist. Megjithatë, pseudonimi i trajnerit rumun krijon menjëherë një analogji interesante me atë që ka munguar te të kuqtë sezonin e kaluar. Nëse Bratu është “Mitralozi”, atëherë Partizani i sezonit të ri duhet të jetë një skuadër e armatosur deri në dhëmbë. Jo si edicionin e shkuar, kur në shumë ndeshje të kuqtë të jepnin përshtypjen e një toge zboristësh me pushkë druri, që bënin zhurmë, por rrallë godisnin objektivin.

EPITETI- Në vitin 2008, Florin Bratu hyri në historinë e futbollit rumun jo vetëm për golin vendimtar në derbin Dinamo Bukuresht – Steaua, por edhe për festimin që u bë legjendar. Pas golit të fitores 2-1, ish-sulmuesi rumun mori flamurin pranë goditjes së këndit dhe simuloi një “mitraloz”, duke festuar përballë tifozëve kundërshtarë. Ai gjest u kthye menjëherë në markën e tij personale, aq sa Bratu mori nofkën “Mitralozi”.

Ajo fitore rezultoi vendimtare, pasi i hapi rrugën CFR Kluzh drejt titullit kampion në sezonin 2007/08, duke ia mohuar trofeun rivalëve të Steauas. Ndoshta epiteti “Mitralozi” nuk është rastësi. Bratu e fitoi atë gjatë karrierës si futbollist, ku luante si qendërsulmues klasik, “pykë”, një rol që Partizani duket se e ka humbur prej kohësh. Sulmuesi që nuhat golin, që tremb mbrojtjet kundërshtare dhe që vendos fatin e ndeshjeve ka munguar prej disa sezonesh në kampin e kuq. Prandaj, më shumë se një pseudonim, “Mitralozi” mund të jetë një filozofi loje. Në karrierën e tij si futbollist, Bratu ka fituar tituj kampionë me Rapid Bukureshtin dhe Liteks Loveç, Kupën e Rumanisë me Rapidin, si dhe Superkupat me Dinamo Bukuresht dhe Liteksin.

Pra, trofetë nuk i janë të panjohur. Tani sfida është t’i transferojë ato edhe në pankinë. Në prezantim ai premtoi punë, përkushtim dhe titull. “Kam ardhur me eksperiencën time për të ndërtuar diçka speciale. E di që nuk do të jetë e lehtë, por do të jap maksimumin që në fund të sezonit të shpallemi kampionë”, deklaroi rumuni. Fjalët janë të bukura, por në futboll peshojnë rezultatet.

Këtë e dinë më mirë se kushdo tifozët e Partizanit, të cilët e pritën emërimin e Bratut me optimizëm të kujdesshëm. Madje nuk munguan as komentet plot ironi në rrjetet sociale, ku disa shkruanin se klubi duhet të fillojë të kërkojë trajnerin e ri që në tetor. Një reagim që tregon se besimi duhet fituar në fushë dhe jo në konferenca për shtyp. Në fund të fundit, Partizani nuk ka nevojë vetëm për një “Mitraloz” në stol.

Ka nevojë për ushtarë që dinë të luftojnë, për komandantë në fushë dhe, mbi të gjitha, për golat që kanë munguar. Mitralozi pa fishekë është thjesht një copë hekuri, ndërsa një ushtri pa artileri nuk fiton beteja. Ndoshta këtë herë të kuqtë kanë gjetur “floririn” për pankinën, duke bërë edhe një lojë fjalësh me emrin e trajnerit, Florin Bratu. Sepse vitet e fundit stoli i Partizanit ka qenë një zonë e minuar, ku trajnerët kanë hyrë e dalë me një ritëm që nuk i ka shërbyer aspak stabilitetit të skuadrës. Tani mbetet vetëm një pyetje: A do të dëgjohet këtë sezon krisma e “Mitralozit”, apo do të mbetet thjesht një nofkë e bukur? Përgjigjen do ta japë fusha, aty ku Partizani është i detyruar të tregojë se është rikthyer për të luftuar, jo për të bërë figurën e ushtarit me pushkë druri.

Screenshot 2026-07-08 171751

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL