ZYRTARE/ “Rrufe” në qiell të hapur, jep dorëheqjen trajneri legjendar që po surprizonte në Botëror
Tashmë është zyrtare. Zlatko Daliç e mbyll me Kroacinë ku drejtonte 111 ndeshje që nga viti 2017.

Vendimi vjen pas eliminimit ndaj Portugalisë në fazën 1/16 të Botërorit. Ishte si “rrufe” në qiell të hapur, pasi edhe vetë Daliç shprehet se po e shqyrtonte mundësinë për të qëndruar.
Kroacia po kthehej në surprizë të bukur të Botërorit me në krye trajnerin e saj legjendar. Dhe pse ishte në avantazh ndaj Portugalisë, këto të fundit ia dolën të përmbysin rezultatin mes shumë polemikave.
“Gjithmonë kam thënë se nuk ka nder më të madh sesa të drejtosh kombëtaren e vendit tënd dhe se nuk mund të kem një punë më të rëndësishme, më të përgjegjshme dhe më të bukur se kjo. Nuk mund ta përshkruaj sa krenar jam për çdo fitore, për çdo kualifikim, për tri medaljet, për netët e mëdha të futbollit kroat, por mbi të gjitha për unitetin që arritëm të ndërtojmë brenda ekipit dhe me popullin kroat, gjë që u dëshmua më së miri në pritjet madhështore dhe të paharrueshme.
Është e pamundur të arrish suksese të tilla pa cilësi, pa punë të palodhur dhe pa besim në atë që bën. Prandaj, nga zemra falënderoj të gjithë ata që investuan dijen dhe energjinë e tyre në këto arritje të përbashkëta. Trajnerët dhe bashkëpunëtorët në stafin teknik, mjekët, fizioterapistët, përgjegjësit e materialeve dhe të gjithë ekipin logjistik të Federatës Kroate të Futbollit, i cili na ka mbështetur gjithmonë në mënyrë të shkëlqyer. Falënderoj drejtuesit e Federatës për mbështetjen, tifozët për përkrahjen e jashtëzakonshme gjatë këtij rrugëtimi, si dhe të gjitha ato media që ndihmuan në krijimin e një atmosfere pozitive. Dhe, në fund, falënderoj familjen time, pa mbështetjen e së cilës asgjë nga kjo nuk do të kishte qenë e mundur për mua.
Kam qenë thellësisht i privilegjuar që drejtova futbollistë kaq të shkëlqyer dhe njerëz me kaq shumë vlera, nga kapiteni Modriç, te të gjithë veteranët që ishin me mua që nga Rusia, e deri te të rinjtë që i përfshimë gradualisht në kombëtare dhe që me kalimin e kohës morën, e vazhdojnë të marrin, role gjithnjë e më të rëndësishme. U jam pafundësisht mirënjohës që e vendosën Kroacinë mbi gjithçka, që me sjelljen, përkushtimin dhe qasjen e tyre treguan gjithmonë se çfarë përfaqëson kultura e kombëtares kroate. Kroacia ka një të ardhme të ndritur me ta dhe, për sa kohë që kombëtarja do të mbetet e shenjtë për ta, ashtu siç ka qenë për brezat e mëparshëm, Kroacia do të jetë e fortë, konkurruese dhe e aftë të përballet me këdo.
Falënderoj presidentin Kustiç për mbështetjen e jashtëzakonshme, bashkëpunimin e shkëlqyer dhe besimin që të vazhdoja më tej. Mbështetja që mora gjatë ditëve të fundit më shtyu ta rishqyrtoja vendimin për t’u larguar, por… ka ardhur koha. Sado që ende ndiej ambicie dhe dëshirë për të shkruar suksese të reja me Kroacinë, ndiej se ky është momenti i duhur për të mbyllur këtë epokë të jashtëzakonshme. Largohem me zemrën plot, krenar për kontributin tim në sukseset më të mëdha të futbollit kroat në histori, ndërsa pasardhësit tim, kombëtares dhe futbollit kroat u uroj shumë suksese të reja, në të cilat besoj thellësisht”, u shpreh Daliç.
PANORAMASPORT.AL













