Dy dekada nga shpallja e Italisë kampione, flet heroi Groso: Vitet kalojnë, por ndjesitë mbeten
Heroi i Gjermanisë 2006, Fabio Groso, rikujton rrugëtimin e Italisë drejt triumfit historik të Kupës së Botës, 20 vjet pas asaj penalltie vendimtare që “e bëri qiellin mbi Berlin të kaltër”: 9 korrik 2006, finalja kundër Francës dhe Italia që u shpall kampione bote.

Këto kujtime rikthehen në një periudhë që “Wall Street Journal” e ka cilësuar si “vera më e keqe ndonjëherë për Italinë”, pasi skuadra ka mbetur jashtë Botërorit për herë të tretë, duke e parë botën të festojë nga jashtë.
Rrugëtimi – Në një intervistë për “VivoAzzurroTV”, Groso tregon se ishte trajneri Marçelo Lipi ai që vendosi rendin e ekzekutuesve të penalltive në finalen e Berlinit. Kështu, ish-mbrojtësi i majtë u caktua si ekzekutuesi i pestë. “Karriera ime ka qenë ndryshe, por më ka dhënë shumë. Kam kaluar shumë vite në kategoritë e ulëta, kam nisur nga Eçellenca, më pas kam kaluar në Serie C dhe gradualisht kam arritur Serie A. Ëndrra ishte të arrija aty, pastaj fillova të ngre gjithmonë më lart objektivat.”
Kulmi i emocioneve – “Ne arritëm kulmin e emocioneve që mund të përjetohen në sport. Kur isha i ri, ishte e vështirë edhe vetëm ta imagjinoja atë që bëmë. Për të arritur deri te ajo penallti kam kaluar shumë vështirësi dhe rrugë të gjatë.” Kontributi i Grosos në atë kombëtare nisi që në 1/8-at: ai fitoi penalltinë vendimtare kundër Australisë, që u shndërrua në gol nga Toti. Më pas erdhi gjysmëfinalja kundër Gjermanisë në Dortmund, ku në minutën e 119-të shënoi golin historik pas asistit të Pirlos, duke çuar Italinë në finale. Një moment që mbetet i gdhendur në historinë e futbollit italian: festa e tij e çmendur me shokët dhe “nuk e besoj” që u bë simbol i asaj skuadre kampione bote.
PANORAMASPORT.AL













