Egnatia, koha për të ndryshuar historinë! Ëndrra për të ndjekur gjurmët e Skënderbeut
Egnatia zbret sot në fushë në Moldavi përballë Petrokubit, në ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues të Ligës së Kampioneve.

Për kampionët e Shqipërisë nuk është thjesht sfida e parë zyrtare e sezonit, por hapi i parë drejt një objektivi që asnjë klub shqiptar nuk e ka arritur prej vitesh. Në Rrogozhinë ëndrra është e qartë: të përsëritet rrugëtimi historik i Skënderbeut, skuadra e vetme shqiptare që arriti të luante në fazën e grupeve të një kompeticioni europian. Pas tre titujve kampion radhazi, objektivat e Egnatias nuk kufizohen më vetëm te dominimi në futbollin shqiptar. Klubi ka investuar në merkato, ka zgjeruar organikën dhe e sheh Europën si sfidën më të madhe të këtij sezoni. Pikërisht për këtë arsye, përballja me Petrokubin merr një rëndësi të veçantë, pasi mund të përcaktojë jo vetëm vazhdimësinë në Champions League, por edhe rrugën që do të ndjekë skuadra në kompeticionet europiane gjatë gjithë verës.
RUGA KALON NGA CHAMPIONSI Objektivi final i Egnatias mbetet faza e ligës së Conference League. Megjithatë, për ta bërë këtë rrugëtim sa më të favorshëm, kampionët duhet të kalojnë fillimisht turin e parë të Ligës së Kampioneve. Një kualifikim ndaj Petrokubit nuk do të thoshte vetëm vazhdim në Champions League, por edhe një rrugë më të favorshme në rast se skuadra eliminohet në turin pasardhës. Me fjalë të tjera, kalimi i këtij raundi do t’i jepte Egnatias më shumë mundësi për të mbërritur deri te objektivi i madh europian. Për këtë arsye, në klub kjo sfidë konsiderohet si një nga më të rëndësishmet e viteve të fundit. Një hap i suksesshëm në Moldavi dhe më pas në ndeshjen e kthimit do t’i jepte Egnatias jo vetëm një kualifikim historik, por edhe më shumë besim për vazhdimësinë e sezonit.
KOHA PËR TË NDRYSHUAR HISTORINË Egnatia është përballur edhe në dy sezonet e fundit me turin e parë të Ligës së Kampioneve, por në të dy rastet aventura është mbyllur menjëherë. Fillimisht kampionët u eliminuan nga Borac Banja Luka, ndërsa sezonin e kaluar u ndalën nga Breidablik. Kjo do të thotë se klubi rrogozhinas nuk ka arritur ende të kalojë raundin e parë të Champions League. Kjo është arsyeja pse dueli me Petrokubin shihet si një mundësi reale për të ndryshuar këtë statistikë. Një kualifikim do të ishte i pari në historinë e Egnatias në këtë kompeticion dhe do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt objektivit europian të sezonit.
90 MINUTAT E PARA – Ndeshja e sotme nuk vendos gjithçka, pasi kualifikimi do të mbyllet pas një jave në “Arena Egnatia”. Megjithatë, rezultati i parë mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e çiftit dhe në mënyrën se si do të luhet sfida e kthimit. Një rezultat pozitiv në Moldavi do t’i jepte kampionëve më shumë qetësi për ndeshjen në shtëpi dhe do t’i afronte me objektivin e parë të sezonit. Në të kundërt, gjithçka do të bëhej më e vështirë, ndaj Egnatia synon ta nisë aventurën europiane me një paraqitje bindëse. Nëse kjo skuadër dëshiron të shkruajë kapitullin më të rëndësishëm të historisë së saj në arenën ndërkombëtare, atëherë gjithçka duhet të nisë nga Moldavia. Sfida me Petrokubin është vetëm hapi i parë, por një hap që mund të përcaktojë gjithë rrugëtimin europian të kampionëve të Shqipërisë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













