Java e së vërtetës, Dinamo kërkon historinë! Daja pret dhuratën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2026 | 23:46

Java e së vërtetës, Dinamo kërkon historinë! Daja pret dhuratën e parë

Dinamo ka hyrë në javën më të rëndë sishme të fillimit të sezonit. Sfida e parë ndaj Astanës në turin e parë të Ligës së Konferencës nuk është thjesht një ndeshje europiane, por një test që mund të japë përgjigje për shumë pikëpyetje që kanë shoqëruar klubin gjatë gjithë merkatos së verës. Në pak ditë, skuadra e Ilir Dajës do të mësojë nëse projekti i ndërtuar nga drejtuesit është gati për të konkurruar në arenën ndërkombëtare apo nëse ka ende nevojë për kohë.

dinamo

Dinamo vjen në këtë përballje pas një vere me ndryshime të mëdha, largime të rëndësishme, afrime ende të pamjaftueshme dhe disa çështje të hapura që kanë komplikuar përgatitjet. Nga ana tjetër, edhe Astana nuk është më skuadra dominuese e viteve të fundit, pasi klubi kazak po kalon një periudhë të vështirë sportive dhe ekonomike. Pikërisht për këtë arsye, dueli i 9 korrikut merr një peshë edhe më të madhe, sepse për të dy klubet përfaqëson shumë më tepër sesa kalimin e një turi.

REVOLUCIONI NË SKUADËR

Dinamo është ndoshta një nga skuadrat shqiptare që ka ndryshuar më shumë gjatë kësaj vere. Thuajse e gjithë boshti i sezonit të kaluar është ndryshuar, ndërsa drejtuesit janë detyruar të nisin një proces rindërtimi në një moment kur Europa është në prag. Largimet e Dejvi Bregut, Tiago Nanit, Bernard Berishës, Andre Teikseirës dhe me shumë gjasa edhe Saliu Guindos, kanë hequr nga organika jo vetëm emra me eksperiencë, por edhe pjesën më të madhe të prodhimit ofensiv dhe të stabilitetit të skuadrës. Vetëm këta futbollistë kontribuan me 25 gola dhe 29 asiste gjatë sezonit të kaluar, shifra që tregojnë qartë peshën e tyre në lojën e Dinamos.

Veçanërisht largimi i Bregut mbetet goditja më e rëndë. Sulmuesi ishte pika kryesore e repartit ofensiv me 18 gola dhe 10 asiste, duke mbajtur mbi supe një pjesë të madhe të përgjegjësisë në momentet vendimtare. Edhe Nani, pavarësisht statistikave më modeste, ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në aspektin taktik, ndërsa Teikseira garantonte siguri në mbrojtje dhe eksperiencë në repartin defensiv. Problemi nuk lidhet vetëm me ata që janë larguar.

Dinamo vazhdon të ketë paqartësi edhe me futbollistë që kanë ende kontratë. Bakari Gudiabi nuk është bashkuar me skuadrën dhe dëshiron të largohet, ndërsa situata e Tiago Nanit u mbyll me ndarjen nga klubi pas refuzimit për t’u rikthyer. Në të njëjtën kohë, Ibrahim Mustafa ndodhet ende në Nigeri për shkak të problemeve me dokumentacionin dhe vizën, duke e bërë thuajse të pamundur që ai të jetë në formën e duhur për sfidën europiane.

Në merkato kanë ardhur, Isi Manellari, Erjon Hoxhallari, Ruben Richard dhe Almir Ajzeraj, ndërsa është rikthyer edhe Hekuran Berisha nga huazimi. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka pasur kohën e nevojshme për t’u përshtatur me grupin dhe për të marrë rolin që kishin lojtarët e larguar. Pikërisht sulmi mbetet reparti më problematik. Dinamo praktikisht është detyruar ta ndërtojë nga e para fazën ofensive vetëm pak javë përpara ndeshjes më të rëndësishme të verës, ndërsa Ilir Daja ka zhvilluar pjesën më të madhe të fazës përgatitore në Ohër me një organikë të paplotë, edhe pse fitoi 2 ndeshje miqësore.

KUNDËRSHTARI

Në pamje të parë, Astana mbetet një nga emrat më të fortë që mund t’i binte Dinamos në short. Përvoja europiane, pjesëmarrjet e shumta në grupet e kompeticioneve të UEFA-s dhe cilësia e kampionatit kazak e bëjnë rivalin favorit në letër. Megjithatë, realiteti i muajve të fundit tregon një situatë krejt ndryshe. Klubi kazak po kalon një periudhë të vështirë ekonomike, ndërsa gjatë kësaj vere ka humbur disa prej futbollistëve më cilësorë. Problemet financiare kanë qenë aq serioze, sa në mediat kazake u diskutua edhe mundësia e përjashtimit nga kupat e Europës për shkak të detyrimeve të prapambetura.

UEFA vendosi të mos e përjashtojë klubin, por e ndëshkoi me një gjobë prej 100 mijë eurosh për shkelje të rregullave financiare në bilancet e tre sezoneve të fundit. Edhe pse Astana do të marrë pjesë normalisht në Ligën e Konferencës, situata brenda klubit nuk është aspak e qetë. Kjo do të thotë se edhe kundërshtari hyn në këtë përballje me shumë pikëpyetje.

Humbja e disa lojtarëve të rëndësishëm dhe vështirësitë financiare kanë ndikuar në vazhdimësinë e projektit të tyre, duke e bërë Astanën më të cenueshme se në sezonet e kaluara. Për Dinamon kjo përfaqëson një mundësi që ndoshta nuk do të ekzistonte nëse përballë do të ishte Astana e disa viteve më parë. Megjithatë, diferenca në eksperiencë europiane vazhdon të jetë një element që nuk mund të neglizhohet.

PROVA E SË VËRTETËS

Ndeshja e parë ndaj Astanës është shumë më tepër sesa një takim i turit të parë të Ligës së Konferencës. Për Ilir Dajën, kjo është prova e parë reale për të kuptuar se sa shpejt mund të funksionojë një skuadër e rindërtuar pothuajse nga fillimi. Një rezultat pozitiv do të rriste menjëherë besimin brenda grupit dhe do t’i jepte legjitimitet projektit të nisur nga drejtuesit, ndërsa një eliminim i hershëm do të shtonte presionin mbi një skuadër që ende nuk ka gjetur ekuilibrat e saj.

Po aq i rëndësishëm është edhe aspekti ekonomik. Kalimi i turit të parë do t’i siguronte klubit të ardhura shtesë nga UEFA, do të rriste mundësitë për të investuar në merkato dhe do t’i jepte më shumë hapësira financiare për të kompletuar organikën.

Në të kundërt, një eliminim i menjëhershëm do ta privonte Dinamon nga një burim i rëndësishëm të ardhurash dhe do ta bënte edhe më të vështirë realizimin e objektivave të sezonit. Për këtë arsye, java që sapo ka nisur mund të rezultojë vendimtare. Brenda 90 minutave, Dinamo nuk do të luajë vetëm për një kualifikim, por për besimin te projekti i ri, për vazhdimësinë e punës së nisur gjatë verës dhe për një mundësi financiare që mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e klubit. Pikërisht për këtë, sfida ndaj Astanës mund të konsiderohet pa hezitim java e së vërtetës për blutë.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL