Blutë e Ilir Dajës besojnë, Astana paraqitet e dërrmuar
Dinamo dhe Astana do të përballen në turin e parë të Ligës së Konferencës, teksa dy skuadrat hyjnë në përballjen e së enjtes në kushte krejt të ndryshme përgatitore. Dinamo hyn në përballjen europiane ndaj Astanës me një avantazh të qartë në aspektin e freskisë fizike dhe menaxhimit të ngarkesës, ndërsa skuadra kazake vjen në këtë duel e mbingarkuar nga një kalendar i ngjeshur dhe udhëtime të gjata.

Astana ka përpara një program të vështirë, me ndeshje të njëpasnjëshme brenda pak ditësh dhe me një itinerar të lodhshëm me një udhëtim të gjatë drejt Shqipërisë, ndeshjen me Dinamon dhe menjëherë pas saj një tjetër sfidë kampionati vetëm tre ditë më vonë.
Kjo situatë e detyron ekipin kazak të menaxhojë energjitë dhe të mendojë për rotacion të detyruar, në një moment ku organika e skuadrës është gjithashtu e reduktuar. Edhe vetë trajneri i Astanës e ka pranuar vështirësinë e këtij kalendari dhe mungesën e alternativave në grup.
“Po, kemi këtë situatë, më 7 nisemi përmes Stambollit, kemi një ndalesë të gjatë dhe më pas fluturojmë drejt Shqipërisë, luajmë ndeshjen dhe të nesërmen kthehemi, ndërsa pas dy ditësh na pret Aktobe. Nuk mund t’i shtyjmë të gjitha ndeshjet. Deri në fund shpresonim të merrnim disa lojtarë për rotacion, por tani kemi shumë të rinj dhe do të luajnë ata që kemi në dispozicion. Liga e Konferencës është turne prestigjioz dhe duhet ta marrim seriozisht, por aktualisht mendja është vetëm te ndeshja e parë”, u shpreh trajneri Grigori Babajan.
AVANTAZHI- Në këtë situatë, Dinamo përfiton nga një kalendar shumë më i qetë. Skuadra e Ilir Dajës e ka mbyllur kampionatin rreth një muaj më parë dhe ka pasur kohë të plotë për përgatitje fizike dhe taktike në Ohër, pa ngarkesën e ndeshjeve zyrtare.
Ndërsa Astana vjen e detyruar të luajë në ritëm gare të vazhdueshëm, Dinamo hyn në këtë duel me më shumë freski dhe mundësi për të rritur intensitetin gjatë 90 minutave, sidomos në pjesën e dytë, kur lodhja e udhëtimeve dhe ndeshjeve mund të bëhet faktor vendimtar. Ky kontrast në gjendje fizike pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në planin taktik të ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL













