Dy liderët e Europës, Balaj dhe Gurishta udhëheqin Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2026 | 14:36

Dy liderët e Europës, Balaj dhe Gurishta udhëheqin Vllazninë

Përvoja është një nga armët më të rëndësishme që një skuadër mund të ketë në ndeshjet europiane dhe te Vllaznia kjo nuk mungon.

balaj

Në prag të sfidave ndërkombëtare, kuqeblutë mbështeten edhe te disa futbollistë që e njohin mirë atmosferën e kupave të Europës, pasi kanë qenë protagonistë me fanellën shkodrane në vite. Mes futbollistëve që aktualisht janë pjesë e skuadrës, emri që spikat më shumë është ai i Bekim Balajt. Kapiteni kuqeblu numëron plot 13 paraqitje në kompeticionet europiane me Vllazninë, duke u renditur i shtati në historinë e klubit për këtë statistikë. Një tregues i qartë i vazhdimësisë dhe rolit të rëndësishëm që sulmuesi ka pasur ndër vite, si në kampionat ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Menjëherë pas tij vjen Erdenis Gurishta. Mbrojtësi shkodran ka regjistruar 12 paraqitje në kupat e Europës me fanellën kuqeblu, duke u renditur i nënti në historinë e klubit. Edhe për Gurishtën bëhet fjalë për një futbollist që ka fituar eksperiencë të konsiderueshme në këto sfi da, duke qenë prej vitesh një nga pikat më të rëndësishme të Vllaznisë. Prania e Balajt dhe Gurishtës në skuadër përfaqëson një vlerë të shtuar për trajnerin, jo vetëm për cilësitë që ata ofrojnë në fushë, por edhe për eksperiencën që mund t’u transmetojnë futbollistëve më të rinj.

Në ndeshje ku çdo detaj bën diferencën, lojtarë që kanë kaluar më parë emocionet dhe presionin e skenës europiane janë gjithmonë një avantazh. Ndërkohë, rekordi absolut i paraqitjeve të një futbollisti të Vllaznisë në kompeticionet europiane vazhdon të mbahet nga Amarildo Belisha, i cili ka zhvilluar plot 23 ndeshje me fanellën kuqeblu në arenën ndërkombëtare. Një shifër që mbetet ende etalon në historinë europiane të klubit shkodran, ndërsa Balaj dhe Gurishta vazhdojnë të shkruajnë kapitujt e tyre me synimin për ta pasuruar edhe më tej historinë e Vllaznisë në kupat e Europës.

PANORAMASPORT.AL