Kthesë e rëndësishme për Milanin, legjenda drejt rikthimit! Amorim nuk konfirmon Leaon: Është me “L” të madhe
Një zhvillim i papritur vjen për Milanin nga merkato e verës. Luka Modriç mund të rikthehet te kuqezinjtë edhe për një sezon. Sa i përket Leaos, vlerësimi i trajnerit portugez është i madh por nuk konfirmohet qëndrimi.

Ruben Amorim u prezantua sot para mediave, ndërsa në konferencë për shtyp tha fjalën e tij për Modriç dhe Rafa Leaon ndër të tjerë.
Pavarësisht se mesfushori kroat konsiderohet lojtar i lirë, fakt është që mund t’i bashkohet sërsh Milanit.
“Modriç është një lojtar që duam ta mbajmë. Kam folur me të dy herë dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të flas sërish me të. Ai ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe besoj se është një pikë kyçe për ne, sidomos në fillim të sezonit. Nuk po them se do t’i luajë të gjitha ndeshjet, por sigurisht që duam të mbështetemi tek ai për sezonin e ardhshëm. Edhe klubi ka biseduar me të dhe shpresoj ta kem sërish me ne pas pak ditësh, pasi të ketë bërë pak pushim”, u shpreh Amorim.
Komenti për Leaon ishte disi më i rezervuar për të ardhmen. Fillimisht Amorim u shpreh: “Leao ka luajtur shumë mirë në Kupën e Botës. Është një lojtar me ‘L’ të madhe, një futbollist i nivelit të lartë. Por jam i lumtur edhe me gjithë skuadrën në përgjithësi”.
“Vendim për Leaon? Nuk dua të flas për lojtarë të veçantë. Jam i kënaqur me skuadrën. Xherri donte t’ju tregonte se sa shumë po punon për këtë ekip dhe sa i përkushtuar është si drejtues i tij. Natyrisht, e gjithë kjo sjell edhe presion…
Tani do ta njoh më mirë skuadrën, do ta vlerësoj dhe më pas do të diskutojmë me drejtuesit, për të përcaktuar së bashku skuadrën më të mirë me të cilën do ta nisim kampionatin. Jam i kënaqur me ekipin. Sigurisht që duhet kohë. Duhet t’i njohim dhe t’i zbulojmë gradualisht cilësitë e çdo lojtari”, u shpreh Amorim.
PANORAMASPORT.AL













