Akuzat nga Brandëll për sabotim, reagon Jos mes tensionit te Red Bull: Një tjetër idiot
Atmosfera në botën e Formulës 1 është bërë gjithnjë e më e tensionuar, ndërsa përplasja e fundit ka për protagonistë rrethin e Maks Vershtapenit dhe një nga zërat më të njohur të “paddock”-ut, ish-pilotin dhe komentatorin e “Sky F1”, Martin Brandëll. Jos Vershtapen, babai i katër herë kampionit të botës, nuk ka hezituar t’i përgjigjet ashpër akuzave të britanikut lidhur me rolin e familjes Vershtapen në krizën e brendshme të Red Bullit.

Thashethemet për të ardhmen e Maks Vershtapenit nuk po ndalen dhe përpara Çmimit të Madh të Britanisë, zërat për një afrim të mundshëm të kampionit holandez me MekLaren morën përmasa të mëdha. Red Bulli nuk është më skuadra dominuese e pakonkurrueshme e viteve të fundit, ndërsa largimet e figurave të rëndësishme nga ekipi i Milton Keynes po vazhdojnë. Pas largimeve të emrave si Adrian Njuei dhe Xhonathan Uitlej, duket se edhe inxhinieri kryesor Paul Monagan mund të jetë drejt një kapitulli të ri me projektin e ri të Kadillak. Në këtë situatë, Martin Brandëll bëri një deklaratë të fortë gjatë transmetimit televiziv.
BRANDËLL: DONIN TË SABOTONIN
Analisti britanik ishte i ashpër gjatë komentimit të krizës së brendshme te skuadra austriake, duke drejtuar gishtin nga rrethi i pilotit holandez. “Zot, ata donin të sabotonin menaxhimin e Red Bullit, apo jo? ‘Ekipi Vershtapen’ bëri një punë të shkëlqyer”, tha me ironi Brandëll. Por ai nuk u ndal me kaq dhe vazhdoi: “Fillimisht ishte Kristian Horner, më pas Adrian Njuei, doktori Helmut Marko dhe Xhonathan Uitlej. Tani e dimë që edhe Paul Monagan po largohet. Mendoj se ekipi Vershtapen bëri një punë tepër të mirë duke dashur të largonte disa njerëz nga Red Bulli”, deklaroi ish-piloti. Kjo teori u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe nuk vonoi të mbërrinte edhe te Jos Vershtapen.
REPLIKA E ZJARRTË
Reagimi i babait të Maks Vershtapenit nuk vonoi dhe ishte po aq i ashpër. Jos Vershtapen përdori llogarinë e tij në “Instagram” për të kundërshtuar deklaratat e komentatorit, me një koment të shkurtër por plot përçmim: “Një tjetër idiot që mendon se di se çfarë po ndodh”. Përplasja publike vjen në një moment delikat për Red Bullin, menjëherë pas një fundjave të vështirë në Silverston, ku tensionet brenda garazhit të skuadrës kanë arritur sërish nivele të larta.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













