Ndizet merkato/ Skënderbeu “peshkon” në Kroaci, ish-futbollisti i Shkëndijës së Tetovës bashkohet me korçarët e Ahmatajt
Skënderbeu i Juljan Ahmatajt duket se ka hyrë fuqishëm në këtë merkato verore, për të ndërtuar një ekip dinjitoz për sezonin e ri futbollistik.

“Panorama Sport” mëson se korçarët kanë arritur akordin së fundmi me mesfushorin difensiv, Xhemil Jahiji, i cili ndodhet në qytetin juglindor teksa ditën e nesërme pritet të firmosë edhe kontratën me “Ujqërit e Dëborës”.
Shqiptari i Maqedonisë së Veriut, së fundmi ishte pjesë e Croatia Zmijavci në ligën e dytë kroate, ku numëron vetëm 1 paraqitje, ndërkohë që në të kaluarën ka qenë pjesë e Arsimit dhe Voska Sport, në elitën e futbollit maqedonas.

Vetëm 23-vjeç, Jahiji në hapat e para të karrierës së tij ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës, nga ku u transferua më pas te Voska Sport.

Për sa i përket kombëtareve të moshave, ai numëron 3 paraqitje me Shqipërinë U16, 5 me Maqedoninë U19 dhe 1 me Maqedoninë U21.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL













