“Futbollisti më i mirë që ka pasur ndonjëherë shqiptaria”, Remzi Ejupi vlerëson Granit Xhakën: Nuk ka harruar asnjëherë rrënjët dhe gjakun që i rrjedh nëpër vena

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2026 | 21:46

“Futbollisti më i mirë që ka pasur ndonjëherë shqiptaria”, Remzi Ejupi vlerëson Granit Xhakën: Nuk ka harruar asnjëherë rrënjët dhe gjakun që i rrjedh nëpër vena

Granit Xhaka ka udhëhequr Zvicrën drejt një tjetër arritje të madhe, siç është prania në çerekfinalet e Kupës së Botës. “Helvetët” mposhtën me penallti Kolumbinë dhe pas sfidës mesfushori mori vlerësime të shumta për paraqiten e tij.

MixCollage-08-Jul-2026-09-45-PM-8014

Një e tillë ka ardhur edhe nga ish-presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili e njeh mirë mesfushorin me origjinë nga Kosova i cili përfaqëson Zvicrën. Në një postim në rrjetet sociale, Ejupi i ka thurur elozhe Xhakës, duke kujtuar se gjithmonë ai ka qenë krenar për të treguar origjinën e tij dhe përfaqësonte më së miri Kosovën edhe në aktivitetin që po zhvillohet në SHBA.

“Ndonëse Kosova fatkeqësisht e lëshoi edhe rastin e dytë jetësor për t’u kualifikuar në një garë madhore, Granit Xhaka po na përfaqëson denjësisht krejt shqiptarëve në Amerikë.

Anipse luan për Zvicrën, Graniti nuk i ka harruar asnjëherë rrënjët e tij dhe gjakun që i rrjedh nëpër vena.

Ai vjen nga një familje patriotike, me babanë e tij, Ragipin, që ishte atdhetar i madh dhe i përndjekur në kohën e okupimit.

Me Granitin e kisha rastin të takohesha disa herë dhe ia ndava pllakatën me shqiponjë, duke e motivuar që të mos heq dorë nga ëndrrat dhe të na bëjë krenarë, siç na ka bërë gjithmonë dhe siç po na bën edhe tash.

Një djalë i thjeshtë, modest, i buzëqeshur, i kulturuar dhe mjaft i dashur.

Ai është një gur i çmuar që duhet ta ruajmë si sytë e ballit, është një simbol kombëtar.

Një lider i lindur, një ambasador i shqiptarëve në Amerikë, një shqiponjë që po fluturon gjithandej, ku na njohin e ku s’na njohin, ku na duan e ku s’na duan.

Nëse në muzikë mburremi me divat tona Rita Ora e Dua Lipa, ne duhet të mburremi edhe me futbollistët tanë që dhanë kontribut të çmuar për promovimin dhe njohjen e Kosovës në botë si vëllezërit Xhaka, Shaqiri, Behrami, Cana e të tjerët, të cilët Kosovën e kishin gjithmonë në zemër.

E luftëtari dhe i palodhshmi Xhaka është padyshim futbollisti më i mirë që e ka pasur ndonjëherë shqiptaria.

Para përballjes historike të mëngjesit të së dielës me më të madhin e të gjitha kohëve, Leo Messi, i uroj shumë suksese diamantit tonë, Granit Xhaka.

Falë tij, edhe Kosova ka hise ne Botëror. Faleminderit, Granit!”, shkruante Ejupi në postimin e tij për mesfushorin.

PANORAMASPORT.AL