Vora nis aventurën në Superiore, Tragaj shpalos synimet e klubit
Sezoni i ri për Vorën nis këtë fundjavë, më saktësisht të dielën e 24 gushtit, në transfertën kryeqytetase kundër Partizanit, një prej skuadrave më titulluese të Shqipërisë.

Një javë para kësaj sfide, drejtori sportiv i klubit, Bazion Tragaj, ka shpalosur për “Vora Sport” objektivat e ekipit debutues në Superioren. “Synimi kryesor për këtë klub debutues është rritja e nivelit për zbatimin e një platforme të fazës së dytë në projektin ‘Vora Superior’. Në fazën e parë, detyrimi ynë kryesor është vetëm mbijetesa dhe qëndrimi sa më gjatë në Superioren.
Duam të tregojmë se niveli i organizimit dhe cilësisë së ekipit është i merituar për të qëndruar në këtë nivel gjatë sezonit të parë. Në fazat e ardhshme, Vora do të hyjë në kampionat për të kërkuar më shumë, dhe pse jo, për të pretenduar një vend në zonën europiane ose për të synuar fitimin e ndonjë trofeu si Kupa apo titulli kampion”, u shpreh drejtori.
Sipas Tragajt, futbolli vorak ka shënuar rritje çdo vit, dhe këtë sezon ekipi do të përballet me një garë më të fortë dhe një përvojë krejtësisht të re, ku rivaliteti mes skuadrave tradicionale dhe atyre që duan të lënë gjurmë do të jetë sfidë e vërtetë.
“Premtojmë një kampionat me emocione të forta për ne si skuadër debutuese. Këtë sezon, Vora synon të kontribuojë për ngritjen e mëtejshme të nivelit të futbollit dhe të rrisë entuziazmin për këtë lojë kaq të dashur në qytetin tonë, duke tërhequr sa më shumë tifozë në mbështetje morale të ekipit blu periferik të kryeqytetit. Në emër të drejtuesve të klubit Vora, uroj që ky të jetë një edicion i suksesshëm për ekipin tonë dhe priftë e mbara drejt këtij suksesi,” përfundon Tragaj.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













