Vora në alarm pikësh, Zuna prenoton gol kundër dinamovitëve. Daja nuk bën ndryshime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2025 | 11:43

Vora në alarm pikësh, Zuna prenoton gol kundër dinamovitëve. Daja nuk bën ndryshime

Vora do të përballet sot me Dinamon në stadiumin “Air Albania”, në orën 16:30, në një duel të konsideruar si një mini-derbi i kryeqytetit dhe tepër i rëndësishëm për momentin që po kalon skuadra vorake. Vora ka arritur të grumbullojë vetëm 2 pikë në 5 ndeshjet e fundit, me 3 humbje dhe 2 barazime, çka e ka vënë ekipin nën presion maksimal.

ZUNA

Për këtë arsye, ndaj dinamovitëve do të kërkohet maksimumi i pikëve dhe pritet një përballje e fortë, e luftuar dhe me intensitet të lartë. Në fazën e dytë, Vora ka lënë pas shumë pikë që nuk duhej t’i humbiste, ashtu si në sfidën e fundit në “Elbasan Arena”, ku u ndëshkua në minutat e fundit. Pikërisht për këtë aspekt, gjatë javës është punuar fort në stërvitje për të ruajtur qetësinë dhe përqendrimin deri në fund të takimit.

Në prag të kësaj sfide, mbrojtësi i djathtë Henri Zuna, i cili rikthehet pas mungesës në Elbasan për shkak dëmtimi, e vlerëson maksimalisht përballjen. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, ai thekson rëndësinë e ndeshjes. “Unë mendoj se ndeshja ndaj Dinamos do të jetë shumë e vështirë, sepse është një lloj derbi dhe kemi defiçit pikësh. Kjo na detyron të japim maksimumin për të marrë tri pikët, pavarësisht vështirësive. Kemi humbur shumë pikë që nuk duhej t’i humbnim”, u shpreh fillimisht 22-vjeçari, i ardhur te Vora nga Partizani.

PRENOTON GOL

Zuna, i cili ka zhvilluar 13 ndeshje me Vorën dhe ka shënuar një gol pikërisht në një tjetër derbi të kryeqytetit ndaj Tiranës në fazën e parë, u ndal edhe te mundësia e një tjetër realizimi: “Goli kundër Tiranës ishte një moment i veçantë për mua, sidomos duke ditur që sapo kisha ardhur nga Partizani. Do të përpiqem edhe kundër Dinamos, por duhet theksuar se jam mbrojtës dhe nuk është gjithmonë e lehtë të shënosh. Megjithatë, më e rëndësishme është që skuadra të marrë rezultatin maksimal”.

Në mbyllje, Zuna foli qartë për objektivin e Vorës në këtë takim. “Objektivi ynë kundër Dinamos është i qartë, të japim maksimumin dhe të marrim një rezultat pozitiv. E dimë që është një nga ndeshjet më të vështira, pasi edhe në fazën e parë vuajtëm dhe humbëm për shkak të mungesës së qetësisë. Dinamo është një skuadër me emër dhe eksperiencë, por ne do të hyjmë në fushë për të treguar lojën tonë dhe për të luftuar deri në fund. Çdo ndeshje për Vorën është një mundësi për pikë dhe kjo sfidë është jetike për pozitat tona në renditje”, përfundoi Henri Zuna.

Screenshot 2025-12-19 114113

Daja nuk bën ndryshime, mungesa në mesfushë

Humbja me Egnatian, e ka kthyer në detyrim fitoren për blutë e Dinamos, ku Daja do të duhet të bëjë pa shërbimet e dy mesfushorëve, Qefalija të pezulluar me kartonë dhe Gudiabit të dëmtuar. Megjithatë, alternativat në stol janë të shumta për skuadrën e Dinamos dhe lajm i mirë është natyrisht rikthimi i Ditës si titullar që do të japë një opsion edhe me shumë në mesfushë. Kështu, në portë pritet të jetë Aldo Teqja, i ndihmuar në mbrojtje nga Neziri në të majtë e Maliqi në të djathtë. Në qendër, pritet të vendoset dyshja Dita-Teikseria. Sa i përket mesfushës, Daja do t’i besojë Lorenco Vilës dhe Eridon Qardakut që kanë blinduar vendin e tyre ndërkohë që para mbrojtjes pritet të jetë Ledio Beqja, i cili këtë sezon është parë edhe si mbrojtës. Treshja e sulmit pritet të jetë me Bregun në të djathtë e Nanin në të majtë, që do të mbështesin Guindon e vetëm në krye të sulmit. Në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, kishte minuta edhe për Bernard Berishën që pritet të aktivizohet edhe sot me Vorën.

Screenshot 2025-12-19 114235

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL