Vora ndërton të ardhmen në elitë me talentet e akademisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2026 | 22:30

Vora ndërton të ardhmen në elitë me talentet e akademisë

Vora po vijon përgatitjet në javët e fundit të sezonit, ndërsa drejtuesit kanë nisur punën për të ndërtuar një skuadër sa më të qëndrueshme në elitën e futbollit shqiptar. Një rol të rëndësishëm në projektin e klubit pritet të ketë Akademia “Vora”, e cila konsiderohet si baza kryesore për furnizimin e ekipit të parë me talente.

VORA

Drejtori i akademisë, Gentjan Brahimaj, ka vlerësuar punën e bërë gjatë këtij sezoni, sidomos me ekipin U-17, që u shpall kampion i Shqipërisë. Sipas tij, suksesi erdhi si rezultat i disiplinës, punës në grup dhe identitetit të lojës që është ndërtuar te të rinjtë.

“Ka qenë një sezon shumë pozitiv për ne dhe ky titull është shpërblim i punës së vazhdueshme që kemi bërë. Jam i kënaqur me rritjen e lojtarëve si në aspektin teknik, ashtu edhe në pjekurinë në lojë. Kemi ndërtuar një identitet dhe mbi të gjitha kemi lojtarë me potencial për ekipin e parë”, është shprehur Brahimaj për “Panorama Sport”. Ai theksoi se disa prej lojtarëve të akademisë janë stërvitur dhe aktivizuar tashmë me skuadrën e parë, duke e cilësuar këtë si një nga objektivat kryesorë të klubit.

“Detyra jonë është të përgatisim lojtarë për ekipin e parë. Kjo është baza më e rëndësishme për një Vorë të qëndrueshme në Superiore”, deklaroi Brahimaj. Në fund, drejtori i akademisë falënderoi lojtarët, stafi n dhe presidentin Xhabafti për mbështetjen e vazhdueshme ndaj projektit të klubit, duke theksuar se puna me talentet do të mbetet prioritet edhe në të ardhmen.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL