Vora me “samba” braziliane, Almeida paralajmëron Teutën: Mundëm Tiranën që e njihja vetëm nga emri
Vora po përgatitet për takimin e radhës, që do ta luajë të dielën në orën 19:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Për këtë përballje, Vora do të ketë në dispozicion gjithë javën e plotë. Në ditën e parë të javës, skuadra zhvilloi një seancë intensive 90-minutëshe, si në aspektin fizik, po ashtu edhe në anën taktiko-teknike.

Edhe në këtë takim ndaj durrsakëve, ashtu si ndaj Partizanit dhe Tiranës, Vora nuk do të ketë dy lojtarët titullarë më të mirë të grupit, që po vuajnë dëmtimet, Manfredas Ruzgis dhe Françesko Hasa, të cilët që në startin e kampionatit janë larg fushave për një periudhë të gjatë. Trajneri Bellai dhe klubi kanë bërë të mundur zëvendësimin e tyre “kokë më kokë”, ku Bernard Karrica po spikat si qendërsulmues, duke zëvendësuar Manfredas Ruzgis dhe duke shënuar golat e parë historik për Vorën, duke dhënë shpresa për të qenë një golashënues edhe në këtë kampionat të tij të parë në Shqipëri.
Ndërkohë, vendi i mesfushorit Françesko Hasa po mbulohet nga Luis Felipe, gjithashtu në debutim në kampionatin shqiptar pas ardhjes nga Brazili. Te Vora, “samba” braziliane duket në formacionin titullar, me katër lojtarë të integruar në grupin e drejtuar nga trajneri Bellai. Gabriel Silva Azevedo Figueredo, mesfushor me tipare sulmuese; Vinicius Cesar de Oliveira Martins, qendërmbrojtës dhe dublant për Dajan Shehi; Uallace Madeira Almeida, qendërmesfushor dhe pikë e fortë në mesfushë; Luis Felipe da Silva Rodrigues, qendërsulmues dhe zëvendësues i të dëmtuarit Manfredas Ruzgis janë katër brazilianët e formacionit bazë të Vorës.
Uallace Madeira Almeida, braziliani 24-vjeçar, po debuton këtë sezon në Shqipëri dhe ndihet mjaft i lumtur në skuadër. Ai shpreh kënaqësinë e ambientimit në një ekip ku bashkëlojtarë janë edhe tre brazilianë të tjerë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Almeida deklaroi: “Këtu ndjehem si në shtëpinë time, mes brazilianësh, pasi kam dhe tre miq që u bashkuan në të njëjtin ekip. Jam ambientuar shumë shpejt edhe me shokët e tjerë të skuadrës. Shoh se të gjithë grupi i lojtarëve të Vorës sillen miqësisht me ne, duke na respektuar.
Por edhe në lojë duket se jemi ambientuar me njëri-tjetrin dhe Vora po bën mirë këtë kampionat. Arritëm të fitonim ndaj një skuadre që e njihja vetëm nga emri, si Tirana. Mendoj se edhe në ndeshjen e tretë ndaj Teutës, do të tentojmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv dhe për t’u bërë rivale me skuadrat e mëparshme elitare”.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













