U largua nga Vllaznia, Bajrami është pranë transferimit jashtë vendit. Zbulohet skuadra që ka shfaqur interes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2026 | 15:20

U largua nga Vllaznia, Bajrami është pranë transferimit jashtë vendit. Zbulohet skuadra që ka shfaqur interes

Ashtu siç ishte paralajmëruar prej ditësh, Melos Bajrami nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Mbrojtësi ka zyrtarizuar ndarjen me klubin shkodran, duke i dhënë fund aventurës së tij me kuqeblutë pas dy sezonesh të suksesshme në “Loro Boriçi”.

MELOS-BAJRAMI

Ka qenë vetë futbollisti ai që ka konfirmuar largimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka falënderuar klubin, tifozët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë qëndrimit të tij në Shkodër. Një mesazh që vulos përfundimisht fundin e bashkëpunimit mes palëve dhe hap një kapitull të ri në karrierën e mbrojtësit.

Bajrami largohet pasi zhvilloi dy sezone pozitive me fanellën e Vllaznisë, duke qenë një nga elementët më të qëndrueshëm të repartit difensiv. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme jashtë vendit, teksa interesimi për shërbimet e tij ka qenë i pranishëm prej kohësh.

Aktualisht, destinacioni më i mundshëm për mbrojtësin e majtë mbetet Kroacia. Skuadra e Goricës ka shfaqur interes konkret për futbollistin dhe vijon të jetë pista më e nxehtë për të ardhmen e tij.

Kontaket mes palëve kanë ekzistuar prej kohësh dhe klubi kroat e sheh Bajramin si një përforcim me vlera për sezonin e ri. Megjithatë, transferimi ende nuk mund të konsiderohet i mbyllur.

Ish-futbollisti i Skënderbeut po analizon me kujdes të gjitha mundësitë që ka në dispozicion, ndërsa në tavolinën e tij kanë mbërritur edhe oferta të tjera që mund të rezultojnë të favorshme si nga ana sportive, ashtu edhe nga ajo financiare.

Për momentin, ajo që është e sigurt është se e ardhmja e Melos Bajramit do të jetë larg Vllaznisë. Mbrojtësi është gati për hapin e radhës në karrierën e tij dhe ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar skuadrën ku do të vazhdojë rrugëtimin, me Goricën që mbetet favoritja kryesore për të siguruar firmën e tij.

Endri Çinari-PANORAMASPORT.AL