Formula 1 në Barcelonë, Norris më i shpejti ditën e djeshme. Rasëll dhe Piastri në top-3
E premtja e provave të lira për Çmimin e Madh të Barcelonës në Formula 1 u mbyll me dominimin e ngjyrave portokalli. MekLaren shkëlqeu në xhiron e shpejtë bë sesonin e dytë dhe dukej shumë më konkurruese krahasuar me fundjavën në Montekarlo.

Lando Norris regjistroi kohën më të shpejtë me 1:15.426, vetëm 9 të mijtat më i shpejtë se Xhorxh Rasëll (Mercedes) dhe 57 të mijtat përpara shokut të skuadrës Oskar Piastri. Më pas ishte Sharl Lëklrek i katërti (+0.373), ndërsa Andrea Kimi Antoneli mbylli top 5 (+0.589), në një sesion ku kishte vetëm një dalje në pistë. MekLaren tenton kështu të rikuperohet pas një fundjave zhgënjyese në Montekarlo dhe e nis mbarë fundjavën e Katalonjës.
Më të tërhequr mbeten dy pilotët më fitues në F1, Maks Vershtapen i gjashti, rreth 9 të dhjetat prapa, dhe Luis Hamilton i nënti me mbi +1.205 sekonda. Sa i përket simulimeve të ritmit të garës, Mercedesi duket më bindëse, veçanërisht me Antonelin (me gomë soft), ndërsa Rasëll (me gomë medium) ishte pak më pak konstant. Lëklerk, pas disa xhirosh madje më të shpejta se Mercedesi, vuajti më shumë nga degradimi i gomave.
Një ritëm i fortë dhe i qëndrueshëm u pa nga Luis Hamilton në “long run”, sidomos me gomë medium. Ndërkohë, Red Bulli paraqiti dy fytyra, me Vershtapenin që kishte vështirësi me gomën e fortë, por ishte shumë konkurrues me përzierjet më të buta. MekLaren mbeti disi më i fshehur në simulimet e garës, por gjithsesi dha përshtypjen se është shumë konkurruese këtë fundjavë.
Fundjava e Barcelonës do të vijojë sot me provat e treta të lira, të cilat nisin në orën 12:30. Më tej, në orën 16:00 do të jetë radha për kualifikueset, të cilat do të përcaktojë radhën e nisjes për garën. Çmimi i Madh i Barcelonës do të startojë të dielën në orën 15:00, një event që premton rivalitet dhe spektakël.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













