VOLEJBOLL/ Liga e Europës 2026, Shqipëria mposhtet 3-0 nga Finlanda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2026 | 10:42

VOLEJBOLL/ Liga e Europës 2026, Shqipëria mposhtet 3-0 nga Finlanda

Shqipëria e volejbollit të meshkujve vazhdon rrugëtimin e saj në Ligën e Europës 2026, por ende nuk ka arritur që të fitojë setin e parë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.FG

Kuqezinjtë e trajnerit Jani Melka nisën dje turneun e dytë që po mbahet me grumbullim në Helsinki të Finlandës, duke u mundur nga përfaqësuesja vendëse me rezultatin e pastër 3-0. Ndonëse thuajse gjithnjë në ndjekje në pikë, Shqipëria rivalizoi në setin e parë, duke mbajtur ritëm të mirë në lojë. Një set që dhuroi emocione, i vendosur me një seri të gjatë pikësh shtesë, në shifrat 34-32 për të zotët e shtëpisë.

Në dy setin e dytë, Finlanda vendosi gradualisht distancat, për ta finalizuar me shifrat 25-18. I treti nuk kishte histori, i dominuar tërësisht nga nordikët, të cilët fituan thellë 25-11, për të hipotekuar suksesin në harkun kohor të 83 minutave. Luka Martila ishte lojtari i ndeshjes, volejbollist që bëri diferencën, me 18 pikë për Finlandën. Për Shqipërinë asnjë lojtar nuk preku dopioshifër pikësh, ndërsa shënuesi më i mirë ishte Anton Qafarena (9). Kuqezinjtë do të rikthehen sot për ndeshjen e radhës, teksa në orën 15:00 do të përballen me Kroacinë, një takim me shkallë të lartë vështirësie.

Grumbullimi i tretë dhe i fundit për fazën e grupeve në Ligën e Europës do të jetë në Tiranë më datat 19-21 qershor, me kuqezinjtë që do të matin forcat kundër Danimarkës dhe Rumanisë. Nëntë sete të humbura dhe asnjë të fituar, është ky bilanci i Shqipërisë së meshkujve deri më tani në Ligën e Europës 2026. Kujtojmë se Kombëtarja e meshkujve u rikthye në pjesëmarrjet ndërkombëtare pas një mungese 4-vjeçare, me Federatën Shqiptare të Volejbollit që e ka justifikuar mos-pjesëmarrjen për mungesë financash.KK

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL