VOLEJBOLL FEMRA/ Diferenca të mëdha me rumunet, Shqipëria mundet në transfertë
Pas kalimit të fazës parakualifikuese, Shqipëria e volejbollit të femrave vijon me ndeshjet në grupet e Ligës së Europës 2026, por ende nuk ia ka dalë të shënojë rezultatin e parë pozitiv.

Pa yllin e skuadrës, Erblira Bicin, dhe me një raund me nivel rivalesh më të forta, vajzat kuqezi e kanë tepër të vështirë që të lënë gjurmë, ndërsa dje shënuan edhe humbjen e tretë, këtë herë në turneun e dytë që po mbahet me grumbullim në Rumani.
Shqipëria, e drejtuar nga trajneri italian Nikola Korneli, u mposht nga Rumania vendëse me rezultatin 3-0, sfidë e zhvilluar në Blaj. Superioriteti i rumuneve ishte i dukshëm në të tria setet, me ndeshjen që u mbyll në harkun kohor të 69 minutave.
Kështu, vendëset morën setin e parë 25-16, ndërsa i dyti përfundoi 25-17. Në fraksionin e tretë Shqipëria realizoi gjithsej vetëm 7 pikë, për t’u dorëzuar pa kushte dominimit të rumuneve. Lojtarja e ndeshjes u shpall Adelina Budai-Ungureanu, autore e 18 pikëve për vendëset. Në radhët e Shqipërisë asnjë nga vajzat nuk shkoi në dopioshifër pikësh, ndërsa shënueesja më e mirë ishte Irsa Metanj (8).
Sot në orën 15:30 Shqipëria do të rikthehet në parket për ndeshjen e radhës, këtë herë kundër Malit të Zi. Më tej, grumbullimi i fundit do të zhvillohet në Tiranë më datat 19-21 qershor, me vajzat kuqezi që do të sfidojnë Suedinë dhe Austrinë.
PANORAMASPORT.AL













