EKSKLUZIVE/ Goditja e madhe për projektin e Dinamos së Ilir Dajës, zbulohen prapaskenat e “arratisë” së Bregut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2026 | 10:05

EKSKLUZIVE/ Goditja e madhe për projektin e Dinamos së Ilir Dajës, zbulohen prapaskenat e “arratisë” së Bregut

Kur gjithçka dukej e mbyllur dhe rinovimi i kontratës konsiderohej vetëm çështje kohe, situata mes Dinamos dhe Dejvi Bregut ka marrë një kthesë të papritur.

dinamo

“Panorama Sport” mëson se sulmuesi ka vendosur të mos vazhdojë bashkëpunimin me klubin blu, pavarësisht se palët kishin arritur më herët një akord paraprak për zgjatjen e kontratës, teksa në këtë situatë, Teuta pritet të përfitojë nga shërbimet e lojtarit. Pas përfundimit të sezonit, drejtuesit e Dinamos i kishin dhënë futbollistit disa ditë më shumë pushim krahasuar me pjesën tjetër të skuadrës. Në momentin kur u rikthye në stërvitje, gjithçka linte të kuptohej se rinovimi ishte pranë finalizimit.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, lojtari ka studiuar me kujdes edhe ofertat që kishte në tavolinë për të ardhmen e tij dhe në fund ka marrë vendimin për të mos firmosur kontratën e re. Sipas burimeve pranë klubit, çështja nuk ka qenë financiare. Dinamo dhe Bregu kishin gjetur gjuhën e përbashkët për aspektet kryesore të marrëveshjes dhe diferencat nuk lidhen me anën ekonomike të kontratës.

PRAPASKENA E NDARJES- Kur rinovimi dukej i sigurt, në skenë kanë hyrë disa detaje kontraktuale që kanë sjellë ngërç në negociata. Mësohet se menaxheri i lojtarit ka pasur pretendime përa disa pika të marrëveshjes, çka ka bërë që procesi të mos mbyllej sipas parashikimeve. Palët kanë vijuar komunikimet, por marrëveshja përfundimtare nuk është arritur dhe me kalimin e ditëve është bërë gjithnjë e më e qartë se bashkëpunimi po shkonte drejt fundit.

Një sinjal i fortë në këtë drejtim ishte edhe fakti që Bregu nuk udhëtoi me skuadrën në fazën përgatitore të Ohrit. Ndërsa pjesa tjetër e grupit po punon në Maqedoninë e Veriut për sezonin e ri dhe sfidat europiane, sulmuesi ka qëndruar në Shqipëri. Një situatë që ka shtuar bindjen se rrugët mes tij dhe Dinamos janë ndarë përfundimisht.

Aktualisht futbollisti ka ende kontratë me klubin deri në fund të muajit, por gjithçka tregon se nuk do të ketë një vazhdim mes palëve. Teuta ka lëvizur prej kohësh për të siguruar shërbimet e një prej futbollistëve më cilësorë të kampionatit dhe aktualisht janë në pozicion të favorshëm për të mbyllur operacionin.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL