Kthesë e papritur për Milanin, harron Glasner dhe projekton portugezin si trajner. Dy palët takohen për kushtet e kontratës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2026 | 19:16

Kthesë e papritur për Milanin, harron Glasner dhe projekton portugezin si trajner. Dy palët takohen për kushtet e kontratës

Vazhdon situata absurde te Milani pas spastrimit total që bënë në stafin teknik dhe drejtues të ekipit. Një situatë e cila ka bërë që vetë presidenti Xherri Kardinale dhe njerëzit e tij më të besuar të nisin takimet për përzgjedhjen e trajnerit të ri pa u bazuar te opinioni i një drejtor sportiv apo njeri që ka lidhje direkte me futbollin në aspektin e menaxhimit.

cardinale

Pasi Ralf Rangnik u tha jo kuqezinjve për rolin e përgjegjësit të futbollit në klub, duket se italianët kanë braktisur pistën e Oliver Glasner që “sponsorizohej” prej tij duke kthyer sytë nga një emër tjetër i njohur me të cilin kanë zhvilluar sot një takim.

Bëhet fjalë për Ruben Amorim, portugezin i cili u shkarkua pak muaj më parë nga Mançester Junajtid për mungesë rezultatesh. “Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se ai ka zhvilluar një takim të gjatë me drejtuesit e klubit të cilët i kanë bërë një ofertë të parë me një kontratë dyvjeçare, me opsion zgjatjen deri në vitin 2029.

Tani vlerësohet si kandidati kryesor për pankinën e Milanit, pasi mësohet se është emri që tërheq më shumë Xherri Kardinalen, i përfshirë tashmë në mënyrë direkte në drejtimin e klubit.

PANORAMASPORT.AL