VIDEO/ Tifozët skocezë zgjojnë lagjen amerikane me gajde në 6:30 të mëngjesit, banorët mbeten të mahnitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2026 | 17:34

VIDEO/ Tifozët skocezë zgjojnë lagjen amerikane me gajde në 6:30 të mëngjesit, banorët mbeten të mahnitur

Atmosfera e Botërorit 2026 ka nisur shumë përpara bilbilit të parë për tifozët e Skocisë. Një grup pjesëtarësh të famshëm të “Tartan Army” kanë tërhequr vëmendjen në një lagje të qetë të shtetit amerikan të Masaçusets, pasi mbërritën në një shtëpi të marrë me qira dhe e shndërruan atë në një “copëz Skocie”.

dfdsfdsfsdfdsfdsf

Tifozët mbërritën në orët e vona të natës së të mërkurës dhe menjëherë dekoruan banesën me flamuj kombëtarë. Por surpriza më e madhe erdhi mëngjesin pasardhës, kur në orën 6:30 nisën të luanin me gajde, duke zgjuar të gjithë lagjen. Pamjet u publikuan në rrjetet sociale nga Mike Morrison, një drejtues i komunikimit në spitalet e Bostonit, i cili jeton përballë shtëpisë ku po qëndrojnë tifozët skocezë. Në video e shpërndarë shihen tre tifozë jashtë banesës, njëri prej tyre i veshur me kiltin tradicional skocez, ndërsa një tjetër interpreton me gajde. Flamujt e Skocisë valëviteshin nga dritaret, ndërsa gardhi i shtëpisë ishte mbuluar me dekorime kuqeblu.

BANORËT: “I DUAM KËTU!”
Megjithëse performanca nisi shumë herët në mëngjes, Morrison nuk u ankua aspak. Përkundrazi, ai tha se i mirëpret tifozët “me gjithë zemër”. “Vetëm energji pozitive. Na pëlqen t’i kemi këtu!”, shkroi ai në rrjetet sociale. Madje, ai publikoi edhe një meme nga filmi legjendar Braveheart, ku personazhi i Uilliam Uallas, i luajtur nga Mel Gibson, u kërkon luftëtarëve të përmbahen. “Unë duke u përpjekur të mos kaloj rrugën për të pirë disa birra me skocezët”, ishte komenti humoristik i tij.

JO TË GJITHË U KËNAQËN
Ndërsa shumica e reagimeve ishin pozitive, disa skocezë që nuk kishin lidhje me grupin kërkuan falje për zhurmën e krijuar, ndërsa të tjerë sugjeruan me shaka që të thirrej policia. Morrison i siguroi të gjithë se nuk kishte asnjë problem dhe se nuk nevojitej asnjë kërkim faljeje. Ai bëri vetëm një kërkesë me humor ndaj “Airbnb”: një biletë falas për ndeshjen e parë të Skocisë si “kompensim” për koncertin e mëngjesit.

50 MIJË SKOCEZË DREJT AMERIKËS
Entuziazmi për rikthimin e Skocisë në Kupën e Botës pas 28 vitesh është i jashtëzakonshëm. Rreth 30 mijë tifozë kanë siguruar bileta për ndeshjet, ndërsa mendohet se afro 20 mijë të tjerë do të udhëtojnë drejt SHBA-së vetëm për të përjetuar atmosferën e turneut. Ditët e fundit, qindra tifozë kanë mbushur pubet dhe baret e Bostonit, duke kënduar, vallëzuar dhe festuar rikthimin historik të kombëtares së tyre në skenën më të madhe të futbollit. Para nisjes për në SHBA, tifozët morën një përcjellje të veçantë në aeroportin e Edinburgh Airport. Rreth 100 mbështetës u shoqëruan drejt portave të nisjes nga gajdexhinj, daullexhinj dhe valltarë tradicionalë skocezë, duke krijuar një spektakël unik që mahniti edhe turistët e pranishëm.

BILETAT E BOTËRORIT I BLENË NË QIELL
Një nga historitë më interesante vjen nga Kristofer Kurrie, i cili arriti të sigurojë katër bileta për ndeshjen hapëse të Skocisë ndërsa ndodhej në avion, në një lartësi prej mbi 10 mijë metrash. “I blemë biletat në 34 mijë këmbë lartësi. Tani jemi jashtëzakonisht të emocionuar”, tha ai për mediat britanike. Skocia do të nisë aventurën e saj në Botërorin 2026 kundër Haiti, në Boston, ndërsa mijëra tifozë skocezë janë gati të tregojnë edhe një herë pse konsiderohen ndër më të zjarrtit dhe më të dashurit në futbollin botëror.

PANORAMASPORT.AL