Vora kërkon mbijetesën, Daka: Fitore e merituar, pres t’i shënoj sërish Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2026 | 21:44

Vora kërkon mbijetesën, Daka: Fitore e merituar, pres t’i shënoj sërish Elbasanit

Një fitore bindëse 2-0, Vora arriti të merrte të dielën në mbrëmje ndaj kampionëve duke regjistruar dhe triumfin e parë ndaj tyre, pas ndeshjes së katërt mes tyre, këtë sezon. Protagonist absolut për vorakët mbetet Irgi Kasalla, që me dopetën e tij bëri të mundur marrjen e një trepikëshi të artë e përfundimisht nëpërmjet këmbëve të tij, dhe tre golave të shënuar, Vora ka arritur t’i shkëpusë kampionëve këtë sezon 4 pikë, pasi Kasalla ishte po ky lojtar që barazoi edhe në ndeshjen e fazës së tretë në Vorë.

daka

E tashmë Vora ka lënë pas atë ndeshje të mbrëmjes dhe që nga dje kanë nisur përgatitjet për takimin e radhës. Skuadra nuk ka kohë as për pushime, por për shtrëngim brezi e për të dalë me sukses edhe në takimin e radhës, kundër Elbasanit, të cilin do ta presë në Vorë këtë të shtunë në ora 15:00.

ELBASANI, KUNDËRSHTARI I RADHËS – Kujtojmë se kundër Elbasanit, kjo do të jetë ndeshja e 4-t sezonale, ku në tri të parat, Vora ka fituar vetëm atë të fazës së parë të luajtur në Elbasan 2-1, ndërsa ka humbur në dy fazat e tjera 0-1 në Vorë gjatë fazës së dytë dhe 1-2 në Elbasan atë të fazës së tretë. Në atë fitore të fazës së parë të Vorës, një nga golat mbajnë firmën e Dario Dakës që ka arritur tani një formë të shkëlqyer.

Edhe në ndeshjen kundër Egnatias ishte mjaft impulsiv në organizmin e sulmeve të Vorës. Futbollisti 22 vjeçar me dy nënshtetësi atë shqiptare dhe italiane, ëerdhi këtë sezon tek Vora kur ishte pjesë e Serisë C tek skuadra e Trapanit e njëkohësisht përfaqësonte kuqezinjtë e moshave U21. gjatë këtij sezoni Daka, është aktivizuar në 29 ndeshje me Vorën dhe ka shënuar dy gola, njërin prej të cilëve ja ka shënuar kundërshtarit të radhës, Elbasanit.

PRONONCIMI – Ai për “Panorama Sport” do të shprehet: “Kemi lënë pas një ndeshje të menaxhuar mjaft mirë nga ana jonë, ku arritëm një fitore të mrekullueshme me tri pikë të arta, në luftën tonë për mbijetesë e cila ishte plotësisht e merituar dhe asnjëherë nuk e vumë në diskutim atë”, janë fjalët e para të futbollistit më shtatshkurtër te Vora(173 cm), me origjinë nga Gjakova e lindur në Itali. Duke vijuar më tej ai përcakton dhe meritat që ekipi tij arriti në fitoren ndaj kampionëve.

“Ka qenë një meritë e padiskutueshme e të gjithë ekipit ku kemi luajtur me mjaft përkushtim dhe që në fillim kërkuam fitoren. Për këtë dua të veçoj Irgi Kasalla që ka qenë fantastik por shumë herë edhe më mirë ka qenë perfomanca e vetë portierit Romeo Harizaj që na mbajti rrjetën të patundur. Edhe të gjithë mbrojtësit tanë pa përjashtim, kanë qenë në një ditë të shkëlqyer.

Dua të them se ne patëm mundësitë edhe tre gola, por ka qenë e pafalshme rasti i Karricës që mund të mbyllte herët ndeshjen. Jemi në optimizëm të lartë për këtë fitore e tashmë, duhet të qetësohemi pas kësaj ndeshje për të filluar aventurën e re, kundër një skuadre tjetër mjaft të fortë, siç është Elbasani”, tha ai. Daka, duke vijuar mbi këtë ndeshje dhe objektivat e mëtejshme të Vorës, shprehet se skuadra do të kërkojë maksimumin.

“Që të hënën jemi vënë në dispozicion të trajnerit Bellaj për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës. Misioni ynë edhe pse morëm tre pikë ndaj Egnatias nuk ka mbaruar, kjo për vetë arsyen se edhe rivalët tanë triumfuan në ndeshjet e tyre dhe pozitat tona nuk kanë lëvizur. Prandaj deri në fund të kampionatit, ne do t’i përkushtohemi përgatitjeve për të marrë të tjera rezultate pozitive, në mënyrë që të sigurojmë mbijetesën, që është dhe objektivi madhor i skuadrës sonë.

Madje qëllimi ynë është që ta mbyllim sezonin pa shkuar as në “play_out”. Edhe në këtë përballje, do të kërkojmë maksimumin, do të luftojmë deri në fund për trepikëshin, që mund jetë dhe realizmi I qëllimit tonë, për të shpresuar në hapat fals të kundërshtarëve tanë. Dua ti shënoj përsëri Elbasanit, e goli të ketë vlera pikësh që do më zbukuronin më shumë kënaqësinë”, ka përfunduar në prononcimin e tij, Dario Daka.

Abdulla Dushku – PANORAMASPORT.AL