Vora gati, flet Zuna: Respektojmë Elbasanin, por ne duam fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2025 | 12:58

Vora gati, flet Zuna: Respektojmë Elbasanin, por ne duam fitoren

Skuadra e Vorës do të zhvillojë këtë javë dy ndeshje, ku të mërkurën do të luajë kundër Maliqit në Kupë në fushën sportive të Ahmetaqit në ora 13:30, ndërsa të dielën në kampionat kundër Elbasanit në transfertë. Janë dy ndeshje, që priten nga ana e vorakëve vetëm me fitore. Skuadra do të aktivizojë pothuajse të gjithë lojtarët në këto dy takime, ku shumica e të rinjve dhe pa minutazh do të jenë në ndeshjen kundër Maliqit për Kupë.

ZUNA

Ndërsa formacioni më i mirë titullar do të jetë në dispozicion të Elbasanit ku synohet rikthimi për tek fitorja pas atyre dy humbjeve radhazi dhe për ta një e tretë do të ishte fatale dhe hap fals në synimet e klubit. Lidhur me këto dy takime, 22-vjeçari kryeqytetas që këtë sezon erdhi nga Partizani te Vora dhe ka arritur të kapë një vend formacioni në krahun e djathtë si mbrojtës, por që shpesh herë inkursionet e tij drejt portës kundërshtare krijojnë probleme të mëdha për mbrojtësit.

Ai për “Panorama Sport” jep opinionin e tij. “Vora po përgatitet në të dyja drejtimet dhe do të jetë më e freskët pasi kjo ndërprerje e kampionatit na ka bërë mirë. Pasi shumë prej nesh kishim probleme dëmtimi dhe shëndetësore. Ishte periudhë mjaft e përshtatshme për të bërë një frymëmarrje e për të harruar ata dy humbje radhazi që pësuam gjatë javës që shkoi.

Mendoj se jemi të gatshëm për të përballuar të dyja ndeshjet me fitore. Të dyja për ne kanë rëndësinë e veçantë dhe specifike, pasi në kupë kërkojmë të shkojmë sa më larg, duke menduar kundërshtarin e ardhshëm pasi të kemi eliminuar Maliqin, ndërsa në kampionat ne kërkojmë patjetër fitoren ndaj Elbasanit, pasi edhe llogjikisht ne nuk mund të pranojmë tri humbje radhazi. respektojmë Elbasanin një qytet me tradita në futboll, por këtë radhë fiton Vora, sepse na duhen medoemos tre pikë”, tha ai.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL