“Vlonjatët kanë forcën për të rrëzuar Egnatian”, ish-trajneri Mezani: Tri pikët në Vlorë, detyrim për Flamurtarin
Gentjan Mezani mendon se Flamurtari mund ta mposhtë sot Egnatian, sikundër ka bërë edhe në të shkuarën.

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat thotë se tri pikët në shtëpi janë detyrim. Mezani vlerëson edhe afrimet që skuadra ka bërë në merkaton dimërore. Ai thotë se Flamurtari i duhet Superiores dhe se presidenti Sinan Idrizi ka treguar që di të ndërtojë skuadra të forta. Vlonjati komenton edhe kampionatin e këtij sezoni, teksa thotë se është në pritje të ofertave.
Mezani sot luhet ndeshja Flamurtari – Egnatia. Si e parashikoni?
Ndeshja është e vështirë, por Flamurtari edhe fazën e kaluar e tregoi që di ta mundë Egnatian edhe pse përballë do të ketë kampionin në fuqi. Uroj në një fitore të Flamurtarit, pasi edhe për faktin se është një ndeshje qe luhet në Vlorë ku detyrë duhet të jenë gjithmonë tri pikët.
Flamurtari ka bërë tri përforcime, si i shikoni?
Flamurtari ka bërë përforcime me cilësi dhe me lojtarë që e njohin kampionatin tonë. Por në përgjithësi të gjitha skuadrat e pjesës të poshtme të renditjes kanë bërë merkato të mire edhe pse disa lojtarë duhet të dëshmojnë që janë të vlefshëm për skuadrat të cilat do të luajnë në pjesën e mbetur.
Qëndron Flamurtari në Superiore?
Unë uroj që të qëndrojë. E kam theksuar dhe kohë më parë se Flamurtari i duhet Superiores, pasi presidenti Idrizi çdo vit ndërton skuadër të fortë dhe kjo vetëm sa i bën mirë elitës sonë të futbollit.
Si arrihet kjo?
Mendoj që me pak qetësi dhe me shumë dëshirë e përqendrim qëndrimi në Superiore është i padiskutueshëm sepse pikët janë aty ndeshje ka plotë thjesht në çdo ndeshje skuadra e Flamurtarit duhet të hyjë për të marrë maksimumin.
Si e keni ndjekur zhvillimet e deri tanishme në kampionat…?
Mendoj që në këtë periudhë merkatoje skuadrat kanë bërë korrigjimet në repartet që kanë pas probleme gjatë dy fazave të para. Edhe pse në këtë periudhë ka pak lojtarë që mund të ndihmojnë mendoj duke pare afrimet në çdo skuadër mendoj që janë lojtarë me cilësi dhe më e rëndësishmja kanë rikthyer në kampionatin tonë lojtarë të cilët kanë luajtur më para gjë që është shumë e rëndësishme.
Cilat mendoni se do të jenë skuadrat pretendente për titull?
Skuadrat që janë aktualisht në katërshen e parë janë pretendentet kryesore nuk do të veçoja asnjë nga të katërtat pasi mendoj që të katërtat kanë cilësi dhe çdo njëra mund ta fitojë kampionatin.
Po për mbijetesën kë shikoni?
Për mbijetesë do të jetë një garë e fortë e cila siç ndodhi dhe kampionatin e kaluar do të vendoset në ndeshjen e fundit se kush do të bjerë nga kategoria. Kjo mendoj është diçka që e bën dhe më të bukur këtë kampionat pasi tashmë Superiore është shumë e fortë dhe duhet vlerësuar maksimalisht.
Me çfarë po merresh aktualisht?
Momentalisht jam në Vlorë dhe po shikoj çdo ndeshje të mundshme të kampionatit tonë. Jam në pritje të një oferte.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













