Vllaznia zbarkon në Slloveni, hall për sulmin
Ekipi i Vllaznisë, para fillimit të sezonit të ri, është nisur dje në drejtim të Sllovenisë për të zhvilluar një minifazë përgatitore. Skuadra do të qëndrojë në Rogla të Sllovenisë dhe trajneri Zmijani ka marrë me vete të gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Me ekipin nuk ka udhëtuar lojtari i ardhur për provë, Hamels Hoxha, i cili mësohet se nuk e ka bindur stafin teknik të ekipit.
Drejtuesit e klubit, pasi kanë parë me kujdes kushtet që ofron kampingu në Slloveni, po mundohen që të sigurojnë të paktën 3- 4 takime miqësore. Nga sa mësohet, deri tani, është konfirmuar miqësoja e parë, që do të luhet të mërkurën me ekipin arab Al Hilal, si dhe priten edhe teste të tjera.
E rëndësishme është që ekipi do të ketë mundësi të zhvillojë një stërvitje në kushte të shkëlqyera, e cila do ta ndihmojë atë për nisjen e mbarë të sezonit të ri. Mirëpo, drejtuesit e klubit gjatë këtyre 12 ditëve përgatitje në Slloveni, nuk do ta heqin mendjen nga merkatoja. Kjo, ngaqë nuk kanë ardhur të gjithë lojtarët që ka kërkuar trajneri Zmijani. Sulmuesi malazez Paviçeviç, pas dëmtimit të pak ditëve më parë, dje nuk ka udhëtuar me skuadrën, ndërkohë që, sipas të gjitha gjasave, do të largohet nga Vllaznia.













