“Vllaznia më e bukur në 15 vitet e fundit”, Alban Hasani këshillon lojtarët: Larg telefonave, makinave e flokëve me xhel! Të kenë mendjen vetëm te futbolli
Alban Hasani, drejtuesi i akademisë Vllaznia prej shumë vitesh dhe një person shumë afër klubit shkodran, ka analizuar për “Panorama Sport” ecurinë e kuqebluve.

Ish-mbrojtësi ka theksuar edhe ndryshimet që ka sjellë dyshja Martini-Sinani në skuadër, teksa ka edhe një këshillë për djemtë e rinj me të cilët ai punon prej dekadash. Ndër të tjera ai ka besim se Vllaznia është pretendente kryesore për titullin kampion, pavarësisht se kampionatin e konsideron shumë të fortë. Teksa ndan edhe një mendim për ndeshjen e radhës së shkodranëve ndaj Elbasanit, që do luhet ditën e shtunë.
Hasani, si duket në syrin tuaj Vllaznia e këtij sezoni?
Shiko, unë jam prej 15 vitesh pjesë e klubit Vllaznia dhe ky është ekipi më i bukur që kemi pasur në këto sezone. Dhe për këtë një meritë të veçantë ka presidenti, Alban Xhaferri. I cili nuk ka kursyer asgjë për të plotësuar kërkesat e trajnerit dhe drejtorit. Është kthyer si dikur atmosfera në qytet, ku deri të mërkurën tema e ditës është se si luajtëm në fundjavë. E të enjten niset e mendohet e analizohet ndeshja e radhës. Ku edhe ecuria e ekipit deri më tani shkon sinkron me ambiciet e dëshirat e tifozëve në Shkodër.
Çfarë mendon se ka ndryshuar trajneri Martini?
Dyshja Sinani-Martini kanë kthyer dashurinë për fanellën e qytetin. Grintën dhe dëshirën që kanë qenë kryesore në futbollin shkodran. Duke presuar lart dhe vënë nën dominim kundërshtarin sepse kjo është tradita jonë. Kisha kohë që ia kisha shprehur presidentit Xhaferri dëshirën për të vënë në krye të pankinës, Martinin. E rëndësishme është që po përkrahet edhe elementi i ri në kohën e duhur sepse është diçka shumë e mirë edhe për strategjinë e klubit tonë. Kjo që të kemi sa më shumë elementë vendas, ku ne jemi akademia e vetme në vend me një prodhim 100% “bio” e ndërsa në akademitë e tjera ka nga 4-5 futbollistë të kombësive të huaja.
Mund dhe duhet të presim më tepër nga ky ekip?
Absolutisht që po sepse ende futbollistët nuk besoj se kanë dhënë potencialin e tyre të plotë. Skuadra ka mundësi për më shumë, por kjo do vijë gradualisht them dhe ekipi duket në rrugën e duhur. Thjesht të qëndrojë larg presionit e të jetë i përqendruar vetëm në fushën e lojës. Një këshillë apo vend për përmirësim? Atë çfarë mund të përmirësohet e dinë ata që punojnë çdo ditë me ekipin. Pasi dijnë pikat e dobëta apo të forta të të gjithëve. Por, unë do të kisha një këshillë për të rinjtë, që të jenë gati kur t’iu jepet mundësia. Duhet të shfrytëzojnë çdo minutë në maksimum e kane fat të stërviten në këtë ekip e me lider si Balaj e të tjerë. Të qëndrojnë larg telefonave, makinave e flokëve me xhel, por të kenë mendjen vetëm te futbolli.
Premton për titull skuadra apo jo?
Që me ardhjen e presidentit Xhaferri në krye të Vllaznisë, ekipi ka qenë çdo sezon pretendent për titull. Sepse kjo është strategjia e Vllaznise si klub, pavarësisht se kush është trajner apo kush luan në fushë. Mendoj se këtë sezon është një kampionat shumë i fortë, por jam i bindur se Vllaznia është pretendente kryesore për titull. Sepse kemi ekipin më të mirë, stafin më të mirë e tifozërinë më të mirë. E kryesorja, presidencën më të mirë në te gjitha kuptimet.
Dueli i radhës në kampionat kundër Elbasanit kryesues, si e parashikoni një sfidë të tillë për kuqeblutë?
Është ndeshja kryesore e kësaj jave në Superiore, midis dy ekipeve pretedente për titull. Por, miq në kulturën sportive e dy qyteteve dhe dy tifozërive që respektohen. Jam i bindur që do të jetë një super ndeshje me një super atmosferë në stadium, ku besoj se do ketë edhe pjesëmarrje të madhe tifozësh. Në fund them se Vllaznia ia del me sukses dhe do të arrijë fitoren e radhës në kampionat.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













