Vllaznia kërkon të thyejë tabunë e startit dhe… inaugurimeve
Vllaznia e trajnerit Armando Cungu kërkon që ta nisë me këmbë të mbarë sezonin 2016-2017. Shkodranët e nisin kampionatin në fushën e tyre, ku të mërkurën presin Kukësin. Një përballje e vështirë për kuqeblutë, për vetë faktin se Vllaznia ka hasur përherë vështirësi në këto sezonet e fundit ndaj kuksianëve në Shkodër.

Një sezon më parë, kuqeblutë kanë arritur një barazim dhe një humbje ndaj Kukësit, si ekip pritës. Ata barazuan 1-1 në Pukë, si skuadër pritëse në përballjen e javës së gjashtë, ndërsa në takimin e fazës së tretë u mundën 1-2 në Shkodër, ku golin e vetëm për të besuarit e trajnerit Cungu e shënoi mbrojtësi Endri Vrapi.
Vllaznia nuk ka fituar në përballjet me kuksianët që nga sezonin i largët 2012- 2013, pikërisht kur ekipi drejtohej nga i ndjeri Artan Bushati. Vllaznia, pas më shumë se tri vitesh, do të kërkojë që të arrijë një fitore ndaj verilindorëve. Megjithatë, atë që nuk arriti ta bëjë një sezon më parë ish-tekniku i kuksianëve, sot trajneri i Vllaznisë, Cungu, kërkon ta bëjë në takimin e parë të sezonit të ri.
Vllaznia do të kërkojë fitoren për të thyer tabunë e Kukësit, që sikur ua ka marrë dorën shkodranëve në shtëpinë e tyre. Përpos thyerjes së kësaj tabuje, djemtë e trajnerit Cungu duan që ta fillojnë sezonin e ri me këmbë të mbarë.
Inaugurimet

Vllaznia sa herë që ka luajtur në momente inauguruese, siç do të jetë këtë të mërkurë për inaugurimin e stadiumit të rikonstruktuar “Loro Boriçi”, ka dështuar në fushë. Takimet inauguruese nuk i kanë sjellë fat Vllaznisë. Vite më parë, kur u inaugurua rikonstruktimi i stadiumit, kuqeblutë e nisën me një humbje ndaj Teutës.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe kur janë përuruar projektorët e stadiumit “Loro Boriçi”. Tifozëria shkodranë vijon që të jetë supersticioze në këtë drejtim, kështu që inaugurimi i stadiumit të ri nga Vllaznia ndaj Kukësit nuk shikohet me optimizëm. Por kjo është një tjetër arsye për të synuar fitoren ndaj Kukësit, ku njëherësh do të thyenin dy tabu.
ADMIR URUÇI













