EKSKLUZIVE/ Vora në sulm për tre “bombera”, dy të tjerë janë gati për firmën e re
Klubi vorak, pasi siguroi mbijetesën në sezonin e parë të tij në elitë, tani kërkon baza të forta dhe një qëndrim sa më të gjatë, duke nisur me një “oreks” më të madh në objektiva, ku të mendohet jo vetëm për mbijetesën, por edhe për diçka më shumë.

Për këtë, Vora ka nisur fillimisht me pastrimin e sulmuesve të saj, ku nga 11 sulmues që kishte kontraktuar gjatë sezonit të parë në Superiore, janë larguar deri tani 8, gjë që përbën edhe synimet e përforcimit të këtij klubi në repartin sulmues. Kjo merkato për vorakët ka nisur që para se të mbyllej sezoni, duke qenë se pranë klubit ka
menaxherë të shkëlqyer dhe një model pune tepër “sekret”, për të mos humbur ata që kanë vënë në shënjestër përpara se të tjerët t’i “gllabërojnë”. Kështu, Vora po “peshkon” për dy sulmues nga Superiorja, të cilët i ka ndjekur që para se të mbyllej sezoni, si dhe një të huaj. Këto parashikohen si goditje “big” në këtë merkato që sapo ka nisur në nxehtësinë e kësaj vere. Drejtuesit vorakë kërkojnë të afrojnë në skuadër sulmues sa më cilësorë, për të përmbushur skemën më të dëshiruar të trajnerit Arjan Bellaj, 4-3-3.
SYNIMI – Sulmi duhet të jetë agresiv. Vora kërkon të vërë në zbatim një skemë me tre sulmues, që trajneri Bellaj e ka përdorur pothuajse gjatë gjithë sezonit të kaluar, por që nuk e kënaqi në masën që ai donte të arrinte, pasi reparti sulmues i Vorës kaloi në “karantinë” për shkak se 6 sulmues të saj patën lëndime dhe dëmtime të rënda, duke mos e përmbushur asnjëherë atë mision formacioni ideal që Bellaj dëshironte ta zbatonte në ndeshjet e Superiores.
Kështu që, për këtë sezon të ri, nëse duam një Vorë që të ndërtojë bazën e qëndrueshmërisë në elitë dhe të ketë pretendime, trajnerit Bellaj i duhen të paktën 9 sulmues të mirëfilltë në dispozicion gjatë sezonit. Domethënë që Vora të ketë tre treshe sulmuese në dispozicion gjatë sezonit. Gati-gati një treshe Vora mund ta ruajë nga sezoni i kaluar, pasi është konfirmuar Mario Barjamaj, i cili ka rinovuar kontratën. Po kështu pritet të rinovojnë edhe dy sulmuesit e tjerë, Dario Daka dhe Bernard Karrica, që do të ishte treshja e boshtit të skuadrës.
Një treshe sulmuesish do të përbëhet nga të rinjtë që vijnë nga akademia “Vora”. Kështu, zgjidhja përfundimtare për skuadrën e re të Vorës do të mbetet një treshe e ardhur nga merkato me cilësi dhe aftësi më profesionale se aktualët. Deri tani bëhet me dije se klubi po pret të realizojë blerjen e tre futbollistëve sulmues, të cilët ende janë në fazë bisedimesh lidhur me argumentet që klubi po paraqet tek këta lojtarë, si dhe duke i bindur për projektin afatgjatë të Vorës elitare.
Kërkesa për tre sulmues e Vorës rrjedh nga fakti se gjatë sezonit të parë elitar, Vora arriti të shënonte shumë pak gola, pasi në 36 ndeshjet e kampionatit, sulmuesit vorakë realizuan gjithsej 39 gola, diçka më shumë se një gol për ndeshje, madje edhe këto erdhën më shumë nga ana e mbrojtësve.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













