“Zhgënjim, është e pafalshme”, analiza e Jupit pas humbjes së radhës të Shqipërisë: Duhet të kthehemi te Silvinjo, dikush t’i thotë trajnerit që…
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Redi Jupi, mendon se Shqipëria ka bërë hapa mbrapa në dy ndeshjet e para të Rolando Maran në drejtimin e saj. Sipas tij, kuqezinjtë duhej të bënin progres nga koha e Silvinjos por në fakt duket sikur janë të detyruar të kthehen fillimisht përsëri në nivelet ku la braziliani.

“Rezultati është zhgënjyes, performanca nuk është e duhura. Patjetër që një humbje në shtëpi me një ekip si Luksemburgu që është i kuotuar shumë më poshtë se ne ka zhgënjim. Por nuk na pëlqeu as ndeshja, performanca e ekipit, pozicionimi i lojtarëve. Mendoj se kemi bërë hapa mbrapa në krahasim me kualifikueset e Botërorit. Nuk është kollaj, tani po e shikoj që ndoshta mbase, mbase kemi bërë më mirë se sa mendonim në Botëror dhe nuk do jetë kollaj të mbajmë atë ritëm, atë performancë dhe atë lojë. Kështu që trajnerit dhe skuadrës i hapet shumë punë përpara.
Pasojë e moskualifikimit? Nuk besoj, se tani ai është një kapitull i mbyllur. Mendoj se lojtarët nuk është se nuk kanë impenjim apo dëshirë për të treguar, luajtur e fituar vende në hierarki. Por gjërat nuk po funksionojnë. Po të shohim ia falëm 15 minutat e para kundërshtarit. Është e pafalshme që një kundërshtar si Luksemburgu të luajë, të imponojë lojën, të shënojë dhe të bëjë ç’të dojë. Gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes ne donim të impononim, të kthenim rezultatin por ishim jo me ritmin e duhur, tempin e duhur, jo me kthjelltësinë e duhur. Ishin gjëra sporadike, gjëra që ishin më shumë me inat se sa me kthjelltësi dhe qartësi teknike e fizike.
Ne duhet të kthemi ta fillojmë punën aty ku u la. Ne kemi ardhur me Silvinjon deri këtu, edhe ai nuk e nisi me të njëjtit por pastaj u kristalizuan gjërat dhe ai kishte 13-14 lojtarë me të cilët patëm sukses e shkuam larg. Mendoja që me trajnerin e ri, mbase një apo dy lojtarë të rëndësishëm të talentuar mund të përfshiheshin te ky grup në mënyrë që të na jepnin diçka më tepër që na mungonte për të shkuar në Botëror, por kështu tani, me gjithçka nga e para…
Më vjen mirë që të paktën trajneri ishte koshient që gjërat nuk janë siç duhet e duhet t’i rishikojë. Për zgjidhjen e një problemi, e para është konstatimi i problemit dhe ai e ka konstatuar që skuadra është bërë kantier i hapur ndërtimi. Por duhet t’i thotë dikush apo ne të gjithë, që kjo është një ndërtesë e ngritur, ka nevojë vetëm për meremetime të vogla, nuk ka nevojë që të ribëhet nga fillimi. Shpresoj ta ketë kuptuar, ta ketë marrë mesazhin në këto dy ndeshje dhe t’ua përçojë lojtarëve se kemi nevojë që të kthejmë ekipin kombëtar në nivelet që la Silvinjo”, tha Jupi për “SuperSport” pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL













