Jo vetëm dy portierët, cilët janë 3 futbollistët e tjerë që nuk morën asnjë minutë nga Maran në dy miqësoret e Shqipërisë
Kombëtarja e Shqipërisë luajti dy ndeshje miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut nën drejtimin e italianit Rolando Maran, duke i mbyllur të dyja me humbje identike 0-1.

Trajneri deklaroi pas ndeshjeve se kjo ishte mënyra e vetme për të bërë eksperimente dhe për të parë lojtarët që kishte në dispozicion për Ligën e Kombeve. Por ndonëse kishte në dispozicion 26 lojtarë për dy ndeshjet ku kreu më shumë se sa 5 zëvendësime në secilën, ai nuk i aktivizoi të gjithë që t’i shihte në veprim.
Kështu, sa i përket portës, në të dy ndeshjet luajti vetëm Sherri, me SImonin dhe Qirkon në rolin e spektatorëve. Por ky nuk ishte i vetmi rast. Tre lojtarë të repartit të mbrojtjes nuk panë fushën e lojës në këto miqësore për asnjë minutë.
Qendërmbrojtësi Klisman Cake, si dhe dy mbrojtësit e majtë, Naser Aliji dhe Stavro Pilo, ishin edhe ata futbollistë të cilët nuk u preferuan në asnjë moment nga trajneri i kuqezinjve. Në ndeshjen ndaj Luksemburgut, ai preferoi që të kthente në pjesën e dytë Ajetin në prapavijë duke mos aktivizuar Caken. Gjithashtu, ndonëse ktheu Mitajn praktikisht në mbrojtës qendre në të dy ndeshjet, Aliji i mësuar me këtë rol nuk u preferua në vend të tij dhe as Pilo si një alternativë që mund të shfaqej më përpara.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













