Lamin Jamal pranon zhgënjimin e madh: Mendoja se e kisha fituar “Topin e Artë”, mësim i madh për mua
Lamin Jamal ka pranuar në një intervistë të dhënë së fundmi në “YouTube” se kishte mbetur shumë i zhgënjyer në ceremoninë e “Topit të Artë”. Spanjolli pohoi se në atë ceremoni kishte menduar që e kishte fituar trofeun, por edhe se Dembele e kishte merituar më shumë.

“Të jem i sinqertë, atë ditë mendova se mund ta fitoja “Topin e Artë”. Por mendoj se ishte e drejtë që Dembele e fitoi. Nuk ishte ende koha ime. Jam ende i ri dhe ndoshta nuk do ta kisha vlerësuar aq shumë atë moment”, tha Jamal i cili më pas shpjegoi se kishte një marrëdhënie shumë miqësore me francezin.
“Shpesh flas me të dhe isha shumë i lumtur për suksesin e tij. Ajo përvojë më ndihmoi të piqem. Dola më i fortë dhe shumë gjëra në jetën time kanë ndryshuar. Sot jam kthyer përsëri në këmbë dhe do të shohim nëse ky vit do të jetë i duhuri”.
I pyetur për emrat që sipas tij janë të nënvlerësuar, ai theksoi se Fabian Ruiz dhe Gerard Martin ,meritonin më shumë vëmendje. Kur iu sugjerua edhe Kol Palmer, Jamal nuk ishte dakord. “Ai nuk mund të konsiderohet i nënvlerësuar. Ai mban fanellën me numër 10 për Çelsin dhe u rendit i nënti në renditje e fundit të “Topit të Artë”. Si mund të thuash se është i nënvlerësuar?”, deklaroi Jamal.
PANORAMASPORT.AL













