“Vllaznia, kantier i pambyllur”, ish-drejtori Zeka: Klubi nuk ka mundësi të afrojë emra të kushtueshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2025 | 22:22

“Vllaznia, kantier i pambyllur”, ish-drejtori Zeka: Klubi nuk ka mundësi të afrojë emra të kushtueshëm

Eugent Zeka, ish-drej tori teknik i Vllaznisë, ka folur së fundmi në mënyrë ekskluzive për “Panorama Sport”. Shkodrani ka analizuar se si e shikon ai momentalisht situatën në kampin shkodran, duke theksuar se klubi nuk po bën diferencën në aspektin ekonomik për të afruar në skuadër futbollistë që bëjnë diferencën.

ZEKA

Ndër të tjera, ish-drejtuesi kuqeblu flet edhe për duelin ndaj Daugavpils, duke e cilësuar dështim vetëm nëse shkodranët nuk do kualifikoheshin, teksa shpreh edhe “simpatinë” e tij për trajnerin Martini dhe shton se jo gjithçka duhet pritur nga trajneri, por edhe të tjerët që e rrethojnë.

Zeka, nga larg, por gjithmonë në zemër me Vllazninë, si i keni parë zhvillimet e fundit te kuqeblutë?

E vërtetë, jam larg vetëm fizikisht, por me zemër jam gjithmonë pranë Vllaznisë. Futbolli i sotëm është i lidhur ngushtë me aspektin financiar, prandaj edhe mendoj se zhvillimet e fundit te Vllaznia tregojnë që jemi të detyruar të “shtrijmë këmbët aq sa kemi jorganin. Nuk është e vështirë për ta kuptuar këtë besoj.

Zhgënjyese humbja e parë sezonale në ndeshjen e “Conference League” ndaj Daugavpils?

Do ta quaj zhgënjyese vetëm në rast se do të eliminohemi, që do të thotë nëse do të bëjmë të dy hapat false. Nëse Vllaznia nuk përmbys rezultatin dhe nuk kualifikohet në ndeshjen e kthimit ndaj Daugavplis, atëherë do të jetë me të vërtetë një humbje si ne aspektin sportiv, ashtu edhe në atë ekonomik.

Çfarë i mungoi Vllaznisë sipas teje?

Sot, Vllaznia është një kantier i hapur ndërtimi, ku stafi teknik po punon për të përgatitur e ndërtuar skuadrën për sezonin e ri futbollistik. Është normale që skuadra të mos jetë në nivelin maksimal të saj në këtë periudhë, pavarësisht nga vlera e kundërshtarit që ka ditur të përfitojë në ndeshjen e parë me ne.

Duhet ende kohë që skuadra të interpretojë në 100% idetë e trajnerit Martini?

Martini nuk ka shkopin magjik të ndryshojë një skuadër apo të përcjellë idetë e tij asaj brenda një muaji. Për mendimin tim, shumë ka bërë në një kohë kaq të shkurtër dhe shumë po sakrifikon për hir të lidhjes së fortë që ai ka me skuadrën tonë të zemrës dhe Shkodrën Gjithsesi, shpresoj dhe uroj që koha të jetë përherë e më shumë në favor të tij.

Ndikoi ndoshta edhe zhvillimi i ndeshjes në Elbasan që ekipi të mos kishte “zjarrin” që ka zakonisht në Shkodër?

Patjetër që të luash në Elbasan nuk është njëlloj sikur të luash në Shkodër, por kjo nuk duhet të shfrytëzohet si justifikim. Nëse tani pretendojmë të shkojmë të fitojmë dhe të përmbysim rezultatin në Letoni, në Elbasan duhej të ishte edhe më e lehtë për ne, apo jo?

Beson te një përmbysje dhe kualifikim i Vllaznisë?

Patjetër që po, unë besoj dhe bëj tifo me zemër për një përmbysje të rezultatit dhe kualifikim të Vllaznisë. Për të arritur një sukses të tillë, Vllaznia duhet të punojë shumë edhe taktikisht, pasi tani e njeh kundërshtarin direkt. Ndeshja ndaj tyre tani duhet ndërtuar dhe përgatitur sa me efikase në të gjitha detajet, edhe ato minimale.

E keni përshëndetur emërimin e Martinit si trajner, çfarë mund të presim nga ai?

Unë jam dashamirës i Martinit si ish-futbollist i Vllaznisë dhe si trajner sot. Atij nuk i mungon asgjë për të kërkuar dhe gjetur suksesin edhe me Vllazninë si me Teutën e Durrësit. Ne nuk duhet vetëm të presim nga ai, por edhe ta ndihmojmë e mbështesim të gjithë, nga presidenti deri te tifozëria.

Si ish-drejtor teknik i skuadrës, ku e shikon ndërhyrjen e klubit në merkato për të përforcuar radhët?

Mendimi im është që Vllaznia sot nuk ka mundësi të afrojë emra të mëdhenj dhe të kushtueshëm, përndryshe do ta kishte bërë një gjë të tillë deri tani. Ajo duhet të kërkojë dhe afrojë lojtarë që mund të jenë sa me afër ideve të trajnerit dhe që mund të integrohen sa më shpejt. Mendoj që duhen lojtarë me aftësi sulmuese, jo vetëm shkatërrues, sidomos në repartin e mesfushës.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL