Vllaznia do trajner për dy muaj, ja emri më i lakuar
Vllaznia është në kërkim të emrit që do të zëvendësojë trajnerin e larguar Hasan Lika. Dorëheqja e tij për faktin se do të udhëtojë për të jetuar në SHBA, ka bërë që drejtuesit të kërkojnë zëvendësin e tij.

Nga sa mësohet nga burime pranë klubit kuqeblu, trajneri që kërkohet do të jetë vetëm për të mbyllur këtë pjesë të mbetur të sezonit. Kontrata e tij me klubin nuk do të jetë më e gjatë se 2-mujore. Kjo ndoshta është edhe një nga shkaqet që trajneri i 19-vjeçarëve të Vllaznisë t’i ketë thënë jo propozimit të klubit për të marrë drejtimin e skuadrës.
Por, kjo mund të penalizojë edhe shumë emra të mirënjohur të trajningut që të pranojnë ofertën kuqeblu. Megjithatë, nga burime pranë klubit mësohet se ka edhe emra të vetofruar për të qenë pse jo edhe për dy muaj pjesë e kësaj skuadre dhe për më tepër pasi kalimi në Superiore duket çështje kohe. Deri tani, emrat më të lakuar për të drejtuar ekipin për këto dy muaj janë Elvis Kraja dhe Altin Xhahysa.
Mirëpo, nuk përjashtohet ndonjë afrim i minutave të fundit, ku sërish mund të jetë një emër shkodran. Detyra më e vështirë që mund të ketë trajneri që mund të marrë drejtimin e ekipit në këtë periudhë nuk duket se do të jetë arritja e Superiores, pasi kjo quhet punë e kryer, por seleksionimi që do të bëjë për skuadrën e ardhshme.
Një pjesë e lojtarëve mund të mos mbahen sërish në ekip dhe do të jetë pikërisht ky trajner që do të bëjë këto përzgjedhje, pavarësisht se disa prej tyre mund të jenë edhe të diktuara. Megjithatë, është ende herët për të folur pa mësuar më parë kush është emri që do të drejtojë për këto 2 muaj Vllazninë.
ARSYET – Një nga arsyet që klubi po kërkon një trajner për të mbyllur vetëm këtë pjesë të mbetur të sezonit është se klubi Vllaznia është në varësi tërësisht të Bashkisë Shkodër. Në fund të qershorit janë edhe zgjedhjet për pushtetin vendor. Një ndryshim në institucionin e bashkisë mund të sjellë jo pak probleme edhe për klubin e futbollit.
Ndryshimet mund të pasojnë njëri-tjetrin dhe kështu me radhë ndikimi mund të jetë i madh edhe në klubin shkodran. Siguria financiare në këtë klub ka qenë e garantuar pavarësisht vonesave, të cilat kanë ardhur si rrjedhojë e zhbllokimit të fondeve. Megjithatë, në një periudhë të tillë, kjo mund të ketë më shumë probleme. Për klubin Vllaznia është miratuar për vitin 2019 një shumë prej 400 milionë lekësh të vjetra.
Një pjesë prej tyre, afro gjysma janë të planifikuara për të mbyllur këtë sezon. Por, me rikthimin e Vllaznisë në elitë, pjesa që mbetet nuk i mjafton klubit as për të startuar përgatitjet për sezonin e ri e jo më për të bërë afrimet e duhura dhe për më tepër për të bërë një skuadër kompetitive për sezonin e ardhshëm. Nisur nga këto problematika që mund të hasen, duket se drejtuesit e klubit nuk kërkojnë që të ndërmarrin edhe vendimet afatgjata për ekipin.
Skuadra do të luajë javën e ardhshme sfidën e radhës në kampionat, ku do të presë në fushën e vet Besëlidhjen. Një fitore në këtë takim mund të mbyllë përfundimisht çështjen e ngjitjes së ekipit në Superiore. Kjo, pasi diferenca aktuale me skuadrat që e ndjekin Vllazninë është 11 pikë, çka do të thotë se është shumë e vështirë që të rikuperohet në kaq pak takime që kanë mbetur deri në fund të sezonit.
ADMIR URUÇI













