Vlerësimet e “Rusi 2018″/ Botërori merr notën 10, ja kush ngel në klasë
Quhet ndryshe hak marrja e Deshampit. Ronaldo dhe Mesi mbetën pas dërrasës së zezë. “Rusi 2018” ka dhënë verdiktet e saj dhe tani protagonistët meritojnë notat.

10 Botërori – Një prej më pasionantët dhe të pasigurtët, por mbi të gjitha më demokratiku i të gjithëve. Dhe ishte ai që theu traditën e të mëdhave mes surprizave të njëpasnjëshme. Italia dhe Holanda mbetën jashtë që në fillim. Pastaj iu bashkuan me radhë Gjermania, Brazili, Argjentina, Spanja… duke bërë që të tjerat të përfitojnë, siç ishte Belgjika e shkëlqyer e futbollit të rafinuar. Anglia u rizgjua pas 20 vitesh, duke shkuar deri në gjysmëfinale. Por, në fund e fiton gjithnjë një skuadër e madhe, madje më e madhja e dy dekadave të fundit: e re po, por Franca nga 1998 është edhe statistikisht skuadra më e fortë, duke arritur në finale mesatarisht çdo dy edicione.
9 Deshamp – Francezët, të cilët për t’i përkufizuar janë pak snobë, do donin gjithnjë të fitonin duke i shkatërruar kundërshtarët. Duke parë tendencën, në stol do të duhej një trajner i kujdesshëm, me hijen e zëvendësuesit mbi stolin e tij: hija e fundit, pak përpara nisjes për në Rusi, ishte ajo e Zidanit. Por, i italianizuari Didie ndodhet në këtë detyrë prej 6 vitesh dhe ndërtoi digën për të mbajtur dallgën e re të trajnerëve Martinez, Daliç dhe Sauthgejt dhe mbi të gjitha u riktheu bashkatdhetarëve të tij dëshirën për të zbritur në rrugë dhe festuar.

8,5 Mbape – Kampion bote që në moshën 19-vjeçare, 60 vite pas Pelesë: nuk u ndodh të gjithëve, madje ai është i dyti. Ka nga ata që kanë luajtur më mirë se ai (Modriç), që kanë pasur vazhdimësi më të mirë (Grizman), më kreativë (Hazard), më gjenialë (De Bryjn) dhe më efikasë (Pogba). Por, simboli i Botërorit është ky djalosh i shpërthimeve të papritura, i aftë për sprinte të jashtëzakonshme dhe natyrisht i përmirësuar në zonën gol, duke pasur parasysh moshën.
8 VAR-i – Nuk është i pagabueshëm, por në thelb nuk është i gabueshëm: ndihma e teknologjisë pengon gabimet më të rënda, largon presionin nga arbitri, edukon tifozët për idenë e gjykatësit super të varur dhe shkurajon simuluesit.
8 Rusia – Vend shumë i bukur, njerëz mikpritës, qytete interesante. Nga Rostovi në Ekaterinburg, nga Kazani në Nizhni-Novgorod, nga Samara në Kaliningrad, Botërori fillimisht solli devijimin nga boshti klasik mes Moskës dhe Shën Pjetërburgut dhe ridimensionimin e stereotipit se rusët janë të ftohtë dhe të poshtër. “Propagandë” thonë ata duke buzëqeshur dhe tundur kokën.
7,5 Mbrojtjet – Mbrojtja më e mirë është mbrojtja, kjo është gjithnjë më e qartë. Organizim maksimal në këtë aspekt edhe nga kombëtaret më të dobëta dhe vështirësitë e shpeshta të mesfushorëve për t’u çmarkuar nga skllavëria e pasimit vertikal. Pastaj është kundërsulmi: 4-5 prekje dhe një goditje. Ndodhi shpesh. Fetishi i zotërimit të topit humbi sharmin. Italia, pasi ka humbur patentën historike (mbrojtje, kundërsulm), duhet të ketë një arsye madhore për t’u zemëruar me veten që nuk shkoi në Rusi.
5 CR7 dhe Mesi – Monopolistët e “Topit të Artë” përfundojnë pas dërrasës së zezë për faj të ekipeve ku luajtën dhe sesi luajtën. Ronaldo meriton një notë më të lartë, për shkak të tripletës ndaj Spanjës. Mesi nuk ishte në formë. Ndoshta ishte shansi i tyre i fundit. Të dy konfirmuan teorinë se futbolli nuk fitohet i vetëm.
4 Sampaoli – Është simboli i shumë trajnerëve që dështuan, më shumë se Tite i lotëve të lehta, i programuesit Lëv që këtë vit gaboi programimin, më shumë se anonimi Hierro.
4 Të ngelurat në klasë – Nota vlen njëlloj për të gjitha, për faj të tyren dhe meritë të të tjerëve. Gjermania pagoi sigurinë se nuk gabonte kurrë. Spanja, kaosin e brendshëm dhe diktaturën e Realit. Brazili ishte më zhgënjyesi, sepse teknikisht ishte më i forti, por u dorëzua përballë kundërshtarit të parë të vërtetë në nivelin e tij, Belgjikës.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO













