VIDEO/ Publikohen pamjet e reja, Partizanit iu mohua penalltia në derbi para se të shënonte golin e avantazhit
Ndeshja mes Partizanit dhe Tiranës, si rrallëherë nuk është shoqëruar me polemikat e zakonshme për arbitrimin ndonëse rastet e diskutueshme për të dy palët nuk kanë munguar. Dhe me sa duket, në një prej tyre, gjyqtari Juxhin Xhaja dhe asistentët e tij, kanë gabuar duke mos dhënë një penallti në favor të Partizanit kur ndeshja ishte ende në shifrat 0-0.

Ishte minuta e 23-të e ndeshjes, kur Sidibe tentoi të merrte fundoren në të djathtën e sulmit, i ndalur nga Kortez. Gjyqtari dhe vijërojtësi nuk sinjalizuan penallti por goditje këndi në favor të Partizanit, ndërsa edhe VAR-i, me pamjet që u shfaqën, nuk jepte qartësi për kontaktin, duke lënë të vlefshëm vendimin e fushës.
Por në pamjet e reja që janë publikuar, pikërisht pranë aksionit, shihet se si Kortez, në tentativën për të larguar topin, godet Sidibe, duke e rrëzuar këtë të fundit në zonë.
SHIH VIDEON
Në shfajësim të gjyqtarit për këtë rast, pamjet në fjalë nuk kanë qenë në dispozicion të VAR, që nuk kishte kamera në pozicione që mund të qartësonin ndërhyrjen. por janë regjistruar nga kamerat e klubit të Partizanit të pranishme rrotull pistës së stadiumit.
PANORAMASPORT.AL













