Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Egnatia, “shtylla kurrizore” nuk preket nga Tetova
Në pamje të parë, Egnatia mund të duket sikur ka ndryshuar shumë në krahasim me sezonin e kaluar. Merkatoja verore solli një sërë afrimesh në repartin ofensiv dhe kjo krijoi perceptimin se skuadra është rinovuar dukshëm. Por, një vështrim më i kujdesshëm i bërë nga “Panorama Sport” mbi formacionet e dy sezoneve tregon krejt të kundërtën: bërthama e ekipit ka mbetur e paprekur. Nëse shohim rreshtimin e këtij sezoni skema duket pak a shumë e njëjtë me një sulmues të deklaruar dhe me titullarë të rinj vetëm për pjesën lart të formacionit.

STABILITETI NË MBROJTJE – Nga porta deri te mesfusha e ulët, gjithçka ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Dajsinani vijon të jetë pikë referimi në portë, ndërsa katërshja mbrojtëse Fangaj, Xhemajli, Sota, Ndreca është një bllok që garanton siguri dhe konsistencë. Në javët e para nuk kanë luajtur të gjithë për shkak dëmtimesh dhe kartonësh, por praktikisht do të jenë ata titullarët edhe për këtë sezon. Praktikisht ky është një luks që pak skuadra në Superiore e kanë, pasi vijimësia në prapavijë shndërrohet në një aset të rëndësishëm për vazhdimësinë e rezultateve.
Në mesfushë, dyshja Aleksi–Fernando është po e njëjta që ka mbajtur në këmbë ekipin edhe sezonin e kaluar. Forca, qetësia dhe përvoja e tyre i japin skuadrës balancë dhe lidhen si ura mes mbrojtjes dhe ofensivës. Pikërisht ky “bosht i mesëm” është baza mbi të cilën po ndërtohet Egnatia e re.
OFENSIVA, FYTYRA E RE – Ndryshimet më të mëdha janë bërë në pjesën e sipërme të fushës. Në vend të tresheve Zejnullai, Ujka, Lushkja dhe sulmuesit Bakajoko, këtë sezon janë afruar emra të rinj në formacion, si Melo, Selmani, Gruda dhe Buriç.
Tre të fundit kanë ardhur vetëm në merkaton e verës, ndërsa Melo që në janar të sezonit të kaluar. Këta lojtarë janë ideuar për t’i dhënë skuadrës më shumë shpejtësi, fantazi dhe efikasitet në fazën e avancuar, duke ndryshuar mënyrën e sulmit të Egnatias. Megjithatë, afrimet e fundit kërkojnë kohë për të arritur harmoninë dhe pjekurinë e duhur. Ky është edhe momenti ku pjesa poshtë e skuadrës, pra boshti i pandryshuar, duhet të mbajë mbi supe peshën e skuadrës. Mbrojtja dhe mesfusha do të duhet të garantojnë stabilitet, derisa faza ofensive të marrë ritmin e duhur.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













