VËZHGIMI/ Gjashtë ndeshje në stol, Milinkoviç u largua nga Partizani me ecurinë më të dobët
Mladen Milinkoviç u shkarkua nga Partizani ditën e hënë. Klubi i kuq njoftoi mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin serb pas katër humbjeve radhazi në Superiore.
Disfata e hidhur nuk mund të kapërdihej, ndërsa para tij kishte paraqitur dorëheqjen Arbër Abilaliaj. Drejtori sportiv e pati Milinkoviçin si projektin e fundit te Partizani. “Panorama Sport” ka vëzhguar periudhën e të gjithë trajnerëve që kanë kaluar, që nga rikthimi i Partizanit në Superiore. Me përjashtim të provizorëve, bëhet fjalë për 23 emërime të 19 trajnerëve në 13 vite.
22 EMËRIME- Partizani ka ndryshuar dy herë trajnerin brenda këtij sezoni. Fillimisht Gega dhe më pas Milinkoviç u larguan nga klubi i kuq. Duke qenë akoma tetor, duhet thënë se kjo situatë është e pazakontë në kampin e kuq. Janë shumë ndryshime trajnerësh, megjithatë bëhet fjalë për klubin që ka mbijetuar gjatë gjithë kësaj kohe në Superiore. Vetëm Teuta është më jetëgjatë dhe thuajse ka pasur të njëjtën ecuri si Partizani, përsa i përket stolit.
MILINKOVIÇ- Trajneri serb mori përsipër vazhdimin e projektit, që kishte dështuar në Europë. Milinkoviç bie në sy se ndër 21 kolegët e tjerë, ka qëndruar vetëm 6 ndeshje në krye. Pas tij vijnë Iuliano dhe Gega në paraqitjen e dytë. Bashkë kanë drejtuar ekipin e Partizanit në 11 ndeshje. Koha prej dy muajsh ishte e pamjaftueshme për Milinkoviç, pasi të kuqtë kanë mbetur në kuotën e 4 pikve. Askush nuk ka bërë më keq, përsa i përket mesatares së pikëve. I vetmi “ngushëllim” është se Ilir Daja në sezonin e tij të dytë me Partizanin, grumbullonte po aq pikë në përfundim të gjashtë javëve të para të Superiores.
TË VETMIT- Janë të paktë trajnerët që e kanë filluar sezonin dhe e kanë dërguar deri në fund. Shpëtim Duro, Skënder Gega, Ilir Daja dhe Xhovani Kolela e kanë pasur këtë mundësi ndër kolegët e tjerë. Çfarë bie në sy është se dy prej tyre janë shpallur kampionë, Gega dhe Kolela. Daja i shkoi mjaft pranë në edicionin e parë, por pa sukses pasi e mbylli me 1 pikë më pak se Teuta kampione.
ILIR DAJA- Partizani i ka besuar një prej trajnerëve, më shumë se pjesës tjetër. Bëhet fjalë për Ilir Dajën, që tashmë drejton Dinamon. Daja qëndronte për 504 ditë në krye ku regjistroi 61 ndeshje. Partizani i shkoi pranë titullit kampion në edicionin e tij të parë. Vetëm 1 pikë e ndau Dajën nga trofeu më i rëndësishëm me kryeqytetasit. Pas zhgënjimit në edicionin e ardhshëm, 2021/22, Daja u largua për te Ballkani. Aty dhe nisi një cikël historik për futbollin në Kosovë. Nga sezoni i kaluar u rikthye në Shqipëri ku kontribuon për dinamovitët.
RIKTHIMET- Partizanit ka preferuar edhe rikthimet. Adolfo Sormani, Skënder Gega dhe Sulejman Starova kanë provuar të ulen sërish në pankinën e kuqe. Ky i fundit duke u prezantuar tre herë si trajner shfaqet edhe si rekordmen i kësaj periudhe të vëzhguar.
PROVIZORËT- Partizani ka patur disa trajnerë provizorë gjatë periudhës 2013- 2025. Genc Tomori, Klevis Dalipi, Renaldo Kalari dhe Arbër Abilaliaj jo vetëm një herë, kanë qenë trajnerë provizorë në periudha të ndryshme. Kështu “Panorama Sport” nuk i përfshin, kur përmend 19 trajnerët. Vetëm Abilaliaj në një rast, pikërisht në fundin e vitit 2023, zyrtarizohej si trajner. Periudhë që nuk zgjati shumë, pasi në stol u ul Orges Shehi.
KËRNAJA- Akoma e paqartë mbetet e ardhmja e Oltijon Kërnajës. Këtij të fundit i është besuar aktualisht projekti i Partizanit. Dhe pse ekipi është i gjithi pas tij, fakt mbetet që ekipi B po ashtu nuk ka prezantuar një trajner të ri. Për këtë arsye, nuk mund të përjashtohet mundësia që Partizani në vazhdim të prezantojë një tjetër në krye.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













