EKSKLUZIVE/ Milionerët e Tiranës, pas Xhixhës feston edhe lojtari tjetër me vendimin e FIFA-s
FIFA ka publikuar vendimin e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve (DRC) në çështjen mes portierit kosovar Visar Bekaj dhe klubit turk Atakas Hatayspor, duke i dhënë të drejtë lojtarit për ndërprerjen e kontratës me “just cause” për shkak të mospagesave të përsëritura.

Sipas vendimit, Bekaj kishte nënshkruar në korrik 2023 një kontratë me Hatayspor të vlefshme deri në qershor 2026, me pagë mujore, bonus strehimi dhe shpërblime të ndryshme të lidhura me paraqitjet dhe sukseset sportive. Megjithatë, gjatë sezonit 2025, klubi ka filluar të akumulojë detyrime të papaguara, përfshirë paga mujore dhe pagesën e strehimit, duke bërë që lojtari të njoftojë zyrtarisht klubin në tetor 2025 dhe t’i japë një afat për shlyerjen e borxheve.
Pavarësisht paralajmërimit, pagesat nuk janë kryer, dhe më 28 nëntor 2025, Bekaj ka vendosur të ndërpresë njëanshëm kontratën me klubin turk. Më pas, ai ka vazhduar karrierën në Shqipëri te Tirana, ku ka firmosur kontratë të re në janar 2026.
VENDIMI – FIFA DRC ka konstatuar se Hatayspor nuk ka arritur të provojë se i ka përmbushur detyrimet financiare dhe se kushtet për “just cause” janë plotësuar, pasi ishin të papaguara të paktën dy paga mujore dhe ishte respektuar procedura e njoftimit me afat.
Si rezultat, klubi turk është urdhëruar t’i paguajë lojtarit 36,300 euro si paga të prapambetura, së bashku me interesin prej 5% në vit, si dhe 127,748.39 euro si dëmshpërblim për shkelje kontrate, gjithashtu me interes 5% në vit nga data e ndërprerjes së kontratës.
Në total, detyrimi i klubit ndaj lojtarit kalon shumën prej 160 mijë eurosh, pa përfshirë interesat që vazhdojnë të rriten deri në pagesën përfundimtare. FIFA theksoi se ndërprerja e kontratës nga ana e lojtarit ishte e justifikuar dhe se përgjegjësia për prishjen e marrëdhënies kontraktuale bie mbi klubin për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare. Në rast se pagesa nuk kryhet brenda 30 ditëve, çështja mund të kalojë në Komitetin Disiplinor të FIFA-s për masa të mëtejshme ndaj klubit turk.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













