Debati për Musialën, Klop reagon pas kritikave të Lotar Mateus
Pas komenteve për formacionin titullar të Gjermanisë, Jurgen Klop u përball me kritika nga Lotar Mateus dhe jo vetëm për përmbajtjen e deklaratave të tij. Tani, eksperti flet për një keqkuptim. Në hapjen e Kupës së Botës të enjten, Klop bëri paraqitjen e tij të parë si analist i Kupës së Botës dhe menjëherë u përball me kritika të bujshme. Mateus reagoi ndaj një diskutimi të nisur nga ish trajneri i BVB dhe Liverpul, së bashku me kolegun e tij analist, Tomas Myler.

Të dy kishin mbështetur fuqishëm idenë që Deniz Undav të luante si titullar në vend të Jamal Musiala në ndeshjen e parë të Gjermanisë. Mateus iu kundërvu kësaj ideje, jo vetëm me argumente sportive. “U habita shumë kur pashë se Jurgen Klop dhe Tomas Myler kishin sugjeruar që Deniz Undav të luante në vend të Jamal Musialës në ndeshjen hapëse. E pranoj mendimin e tyre, por nuk mund ta lë pa reaguar”, deklaroi Mateus.
“Më duket mungesë takti.” Edhe pse Myler kishte pranuar se ishte “fiksuar disi pas kësaj ideje me Undavin” dhe e kishte përshkruar atë si një “opsion të shkëlqyer” në rolin e numrit 10, Mateus i drejtoi kritikat kryesisht ndaj Klopit.
“Ai duhet ta dijë më mirë se kushdo tjetër. Për të zhvilluar një Kupë Bote të suksesshme, Gjermania ka nevojë për cilësinë e Musialës. Prandaj ai duhet të marrë besim dhe minuta loje”, tha Mateus. Më tej, ai shtoi: “Komentet e Klopit nuk ia bëjnë më të lehtë punën Nagelsman. Do të doja të shihja çfarë do të kishte thënë Klop nëse një ekspert do t’i kishte sugjeruar të linte në stol një nga titullarët e tij para një ndeshjeje të rëndësishme të Ligës së Kampionëve.
Ndërhyrje të tilla nuk priten mirë, sidomos nga kolegët trajnerë.” Prandaj, të shtunën në mbrëmje, Klop u përpoq të qartësonte situatën. “Duket se ka pasur disa keqkuptime”, tha Klop. “Nuk ishte aspak menduar si kritikë, ende nuk kemi luajtur asnjë sekondë. Nuk ishte një thirrje për ta nxjerrë jashtë ekipit, por për të treguar se kemi edhe alternativa të tjera.” Klop iu referua Musialës, “të cilin të gjithë e duam”, dhe përfundoi: “Të gjithë duam të njëjtën gjë: të bëhemi kampionë bote.”
PANORAMASPORT.AL













