Derbi i merkatos, Pogradeci dhe Besa përplasen për firmën e sulmuesit kosovar të Dinamos…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2026 | 13:21

Derbi i merkatos, Pogradeci dhe Besa përplasen për firmën e sulmuesit kosovar të Dinamos…

Pogradeci dhe Besa e Kavajës pritet të jenë dy nga rivalët kryesorë në sezonin 2026-2027 të Kategorisë së Parë, me të dyja skuadrat që synojnë rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Ambiciet e mëdha dhe objektivi i qartë për ngjitjen në Superiore kanë bërë që dy klubet të përballen mes tyre që në merkaton e verës, ku janë vënë në ndjekje të disa emrave të njëjtë.

gashi

Një prej futbollistëve që ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të të dyja klubeve është sulmuesi kosovar Armend Gashi. Sipas raportimeve të “Zëri i Sportit”, 25-vjeçari ka zgjuar interesin e disa skuadrave shqiptare pas përfundimit të kontratës së tij me Dinamon e Ferizajt. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se Pogradeci ka nisur kontaktet dhe bisedimet për të siguruar shërbimet e sulmuesit, duke e konsideruar atë një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv. Megjithatë, liqenorët nuk janë të vetëm në këtë garë, pasi edhe Besa e Kavajës ka hyrë fuqishëm në lojë për të bindur Gashin të veshë fanellën verdhezi. Madje, drejtues të klubit kavajas e kanë ndjekur nga afër sulmuesin në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë mes Dinamos së Ferizajt dhe Lirisë së Prizrenit, duke vlerësuar nga afër cilësitë e tij.

Përveç interesimit nga Shqipëria, Gashi po monitorohet edhe nga disa klube të Kosovës, çka e bën edhe më të fortë konkurrencën për kartonin e tij. Aktualisht, sulmuesi është duke shqyrtuar të gjitha ofertat dhe alternativat e mundshme përpara se të marrë vendimin përfundimtar mbi të ardhmen e tij. Sezonin e fundit ai ishte një nga lojtarët më të spikatur të Dinamos së Ferizajt, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në repartin ofensiv. Gjatë karrierës së tij, Armend Gashi ka qenë pjesë e disa skuadrave të njohura në futbollin kosovar, si Prishtina, Vëllaznimi, KEK-u, Trepça ’89, Feronikeli ’74, Drenica dhe së fundmi Dinamo e Ferizajt, duke fituar eksperiencë të konsiderueshme dhe duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të vlerësuar në tregun kosovar.

PANORAMASPORT.AL