Besëlidhja e ka marrë seriozisht Kategorinë e Parë, pas merkatos nis transformimi i stadiumit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2026 | 16:18

Besëlidhja e ka marrë seriozisht Kategorinë e Parë, pas merkatos nis transformimi i stadiumit

Besëlidhja po dëshmon çdo ditë e më shumë se është kthyer në një klub të organizuar dhe me vizion të qartë për të ardhmen. Që nga vera e kaluar, nën drejtimin e presidentit Pjerin Fusha dhe me mbështetjen e Bashkisë Lezhë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, te verdhekuqtë kanë nisur investime të rëndësishme jo vetëm në skuadër, por edhe në infrastrukturë.

stadiumi lezhe

Pas rikthimit në Kategorinë e Parë, drejtuesit lezhjanë nuk kanë humbur kohë. Krahas lëvizjeve në merkato dhe afrimit të futbollistëve me eksperiencë për të ndërtuar një skuadër konkurruese, puna po zhvillohet me ritme të larta edhe në stadiumin e qytetit. Objektivi është i qartë: plotësimi i standardeve të kërkuara nga FSHF-ja dhe krijimi i kushteve sa më të mira për ekipin dhe tifozët. Për këtë arsye kanë nisur punimet për rinovimin e tapetit të stadiumit “Besëlidhja”, një investim që konsiderohet jetik për ambiciet e klubit në sezonin e ri. Vetë klubi ka bërë të ditur lajmin përmes një njoftimi zyrtar, të shoqëruar edhe me pamje nga punimet që po zhvillohen në impiant. “Kanë nisur punimet në stadiumin ‘Besëlidhja’ për vendosjen e një tapeti të ri me bar natyral, si dhe përmirësimin e bazamentit të fushës, në përputhje me standardet më të larta.

Ky investim dëshmon përkushtimin dhe vizionin për t’i ofruar ekipit tonë kushte sa më moderne dhe optimale për të ardhmen, duke krijuar një ambient dinjitoz për futbollistët dhe tifozët verdhekuq. Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, në funksion të zhvillimit të infrastrukturës sportive dhe përmirësimit të kushteve të futbollit në qytetin tonë”, thuhet në reagimin e klubit. Kështu, ndërsa skuadra po përforcohet për të qenë protagoniste në Kategorinë e Parë, Besëlidhja po investon njëkohësisht edhe në bazën e saj, duke treguar se projekti i rikthimit nuk kufizohet vetëm te rezultatet sportive, por synon ndërtimin e një klubi model në të gjitha aspektet.

PANORAMASPORT.AL