EKSKLUZIVE/ “Flamurtari do të ishte në Superiore me mua”, Agostineli i përgjigjet Idrizit: Mungon një bonus
Andrea Agostineli pranon se ka përfituar shpërblimin prej 10 mijë eurosh nga Flamurtari për rikthimin e skuadrës në Superiore. Ish-trajneri italian i kuqezinjve, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, ka vendosur të flasë ekskluzivisht për gazetën, duke sqaruar pozicionin e tij në një kohë kur FIFA ka bllokuar merkaton e vlonjatëve.

Agostineli i qëndron faktit se duhej të ishte ai trajneri i Flamurtarit në rikthimin në Superiore, sipas asaj që ishte përcaktuar në kontratë. Italiani pretendon gjithashtu se nuk i është paguar një tjetër bonus, pa dhënë më shumë detaje lidhur me këtë çështje. “Unë thjesht kam marrë shpërblimin për ngjitjen e Flamurtarit në Kategorinë Superiore, sipas kontratës, në vlerën 10 mijë euro. Gjithashtu, sipas kontratës, kisha edhe një bonus tjetër për rikthimin në Kategorinë Superiore, i cili nuk është paguar. Kushtet e kontratës së këtij viti nuk u respektuan asnjëherë. Unë jam sjellë gjithmonë korrekt dhe jam shkarkuar pas një humbjeje, pasi kishim arritur 12 fitore dhe 3 barazime radhazi. A ju duket normale kjo? Mendoj gjithashtu se zgjedhja e bërë nga klubi nuk ka qenë e duhura. Megjithatë, nuk dua të flas më shumë për këtë çështje. Nuk dua të ofendoj askënd. Nuk është diçka që më bën të ndihem mirë. Kjo është pjesë e jetës sime”, shprehet fillimisht Agostineli për gazetën.
Për tifozët dhe skuadrën
Ish-trajneri italian i Flamurtarit thekson se e arriti objektivin e tij, rikthimin e vlonjatëve në Superiore pas shtatë vitesh mungesë. Ai thotë se ka jetuar çdo ditë me skuadrën dhe ka një mesazh të veçantë për tifozët kuqezi. “Një përqafim për të gjithë tifozët e Flamurtarit, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë. Kur erdha, thashë se pas shtatë vitesh do ta riktheja Flamurtarin në Kategorinë Superiore dhe e bëra. Çfarë tjetër duhej të bëja më shumë? Ju më njihni shumë mirë. Sinqerisht, e them se kam jetuar për këtë skuadër. Isha krenar për djemtë e mi. Por si mund të trajtohet në këtë mënyrë një trajner që ka një përvojë si e imja, për më tepër një përvojë fituese? Çfarë duhej të bëja më shumë sesa ta riktheja Flamurtarin në Kategorinë Superiore”, deklaron italiani.
Keqardhja për rënien nga Superiorja
Andrea Agostineli shpreh keqardhjen për rënien e Flamurtarit në Kategorinë e Parë, por është i bindur se një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të kishte vazhduar në krye të skuadrës. “Më vjen shumë keq që Flamurtari ra nga Superiorja. Jam shumë i bindur se, nëse do të kisha qëndruar unë në drejtimin e skuadrës gjatë sezonit që sapo u mbyll, do ta kisha shpëtuar ekipin. Nuk do të ndodhte kjo. Flamurtari sot do të ishte në Superiore. Ajo skuadër ka histori dhe unë i uroj një rikthim sa më të shpejtë në elitën e futbollit shqiptar, aty ku e ka vendin”, përfundon Agostineli.
Debati
Çfarë tha Sinan Idrizi për bllokimin e merkatos nga trajneri italian
Merkaton e Flamurtarit e ka bllokuar trajneri Andrea Agostineli. Gjatë një prononcimi ekskluziv për “Panorama Sport”, presidenti Sinan Idrizi konfirmon gjithçka, duke sqaruar edhe pozicionin e klubit në raport me teknikun italian, i cili mes të tjerash tha: “Mënyra se si e shikojnë Flamurtarin është çështje karakteri, qoftë nga trajnerët apo nga lojtarët. Para dy vitesh më merr në telefon një mik shumë i dashur dhe më thotë: ‘Sinan, a mund të të sugjeroj një trajner?’.

I them po dhe ai më përmend Agostinelin. Më tha se donte vetëm të punonte, se nuk ishte njeri që mendonte për para apo interesa të tjera, por një profesionist i ndershëm. Më tregoi se kishte edhe një problem familjar dhe se kërkonte vetëm të trajnonte. Pranova dhe e mora në Vlorë. Punoi, mirë apo keq, kjo është çështje tjetër. Dy ditë ishte në Vlorë, tre ditë në Itali. Unë bëja sikur nuk e shikoja. Jepte intervista vazhdimisht dhe çdo javë ishte në një televizion italian. Për shkak të problemit të tij familjar, mendova ta trajtoja më shumë me anën njerëzore sesa me atë institucionale. Ky është problemi im te Flamurtari. Shpesh vendos anën njerëzore mbi atë institucionale dhe të tjerët e keqkuptojnë. Shkonte e vinte dhe unë nuk i thosha asgjë.
Pas ndeshjes me Pogradecin, kur vendosëm në rrezik gjithçka, mora vendimin ta largoja. I pagova të gjitha detyrimet financiare dhe, në fund, ashtu siç u dhamë lojtarëve një premio prej 10 mijë eurosh për ngjitjen në Superiore, e thirra edhe atë dhe ia dhashë të njëjtën premio. Ky ishte një gjest njerëzor. Por Agostineli e mori këtë dokument dhe shkoi në UEFA e në gjykatë, duke shfrytëzuar klauzolën që parashikonte se, në rast ngjitjeje në Kategorinë Superiore, ai do të ishte automatikisht trajner i Flamurtarit me një pagë prej 5 mijë eurosh në muaj. Ai argumentoi se, duke marrë premio, njihej si pjesë e ekipit që arriti objektivin dhe, për këtë arsye, pretendonte se kishte të drejtë në kërkesat e tij. Ne nuk kishim asnjë detyrim financiar ndaj tij. E përdori këtë si argument dhe ka arritur të bllokojë merkaton tonë”.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













