Irakunda, nga kampi i refugjatëve në hero i Australisë. Historia e jashtëzakonshme e 20-vjeçarit që sakrifikoi Bajernin për Botërorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2026 | 9:09

Irakunda, nga kampi i refugjatëve në hero i Australisë. Historia e jashtëzakonshme e 20-vjeçarit që sakrifikoi Bajernin për Botërorin

Kur lindi Nestori Irankunda, shanset që ai të bëhej golashënuesi më i ri i Australisë në historinë e Kupës së Botës ishin pothuajse zero. I lindur në vitin 2006 në një kamp refugjatësh në Kigoma, nga prindër burundezë që kishin ikur nga lufta civile në vendin e tyre, fillimi i jetës së tij ishte larg çdo ëndrre futbollistike.

irakunda

Por sot, 20-vjeçari është kthyer në një hero kombëtar në Australi, pasi shënoi golin e parë në fitoren 2-0 ndaj Turqisë, duke e afruar Australinë me fazën eliminatore të Botërorit 2026.

“Është e pabesueshme dhe një ëndërr e bërë realitet. Ndihem fantastik. Duhet të falënderoj stafin dhe gjithë kombin, sepse kanë besuar tek unë”, tha ai pas ndeshjes.

Goli që ndezi Australinë

Irankunda finalizoi një kundërsulm të shpejtë në minutën e 27-të të sfi dës së luajtur në Vankouver, duke shpërthyer në festë së bashku me tifozët australianë. Pas golit ai bëri një rrëshqitje spektakolare në gjunjë dhe goditi fl amurin e këndit, duke imituar festimin legjendar të idhullit të tij, Tim Kahill.

“Tim Kahill është frymëzimi im më i madh në futboll. Ai është futbollisti më i madh që ka pasur Australia dhe i premtova vetes se, nëse do të shënoja, do ta festoja si ai.”

Nga një kamp me 150 mijë refugjatë

Historia e Irankundës është një nga më të jashtëzakonshmet e këtij Botërori. Ai lindi në kampin e refugjatëve Nyarugusu, një nga më të mëdhenjtë në botë, ku jetojnë rreth 150 mijë persona. Ishte fëmija i katërt nga tetë fëmijët e Gideon dhe Dafrozës. Emri i tij, Nestori, rrjedh nga “Nestor”, që do të thotë “ai që kthehet në shtëpi”. Por familja e tij e gjeti shtëpinë diku tjetër. Kur ishte ende foshnjë, familja emigroi në Australi, fi llimisht në Perth dhe më pas në periferi të Adelaide, ku Nestori u dashurua me futbollin.

Nga Adelaide te Bajern Mynih

Talenti i tij shpërtheu shpejt në akademinë e Adelaide Junajtid, ku kaloi të gjitha grupmoshat për t’u bërë një nga yjet e skuadrës së parë. Paraqitjet e tij tërhoqën vëmendjen e gjigantëve të Bajern Mynih, skuadrës së preferuar të babait të tij. Në sezonin 2024-25 ai u transferua në Mynih, por nuk arriti të depërtonte në ekipin e parë. Megjithatë, pati mundësinë të stërvitej me emra të mëdhenj si Herri Kejn dhe Erik Dajer. Më pas kaloi një periudhë huazimi te Grasshoper, përpara se të transferohej përfundimisht te Uatford verën e kaluar.

Sakrifikoi Bajernin për ëndrrën e Botërorit

Shumëkush u habit kur ai vendosi të largohej nga Bajerni për në Championship-in anglez. Por Irankunda kishte një arsye të qartë: “Ishte një vendim i vështirë, por objektivi im më i madh ishte Botërori. Kupa e Botës 2026 po afrohej dhe unë kisha nevojë të luaja. Nuk po merrja minuta te Bajern. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në Angli”.

Vendimi rezultoi i duhuri. Me katër gola dhe pesë asistime në sezonin e tij të parë te Uatford, ai siguroi vendin në kombëtaren australiane dhe biletën për Botëror. Shoku i tij i ekipit dhe gjithashtu me histori refugjati, Mohamed Toure, e njeh që nga fëmijëria dhe beson se potenciali i tij është i jashtëzakonshëm. Ai e quan “Houdini” dhe është i bindur se Irankunda mund të bëhet versioni australian i Xhud Belingham.

“Kam parë shumë futbollistë të mirë, por ndonjëherë has një talent të veçantë dhe ai është pikërisht i tillë. Nëse vazhdon të punojë dhe qëndron me këmbë në tokë, do të arrijë shumë më tepër sesa presin njerëzit”. Nga një kamp refugjatësh në Tanzani te skena më e madhe e futbollit botëror, Nestor Irankunda po jeton një histori që duket si fi lm. Dhe në moshën vetëm 20-vjeçare, duket se kapitujt më të bukur të saj ende nuk janë shkruar.

PANORAMASPORT.AL