Daja me laps e letër, faza me mungesa te Dinamo. Blutë udhëtojnë sot në drejtim të Ohrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2026 | 11:29

Daja me laps e letër, faza me mungesa te Dinamo. Blutë udhëtojnë sot në drejtim të Ohrit

Dinamo ka mbyllur përgatitjet në Tiranë në prag të ndeshjeve të Europës dhe nga dita e sotme, blutë do të udhëtojnë në drejtim të Ohrit aty ku do të zhvillojnë fazën përgatitore.

dinamo

Skuadra kryeqytetase ka zgjedhur Ohrin për shkak të temperaturave që janë më të freskëta se në Tiranë, teksa për ta kjo nuk është hera e parë që zgjidhet ky qytet, pasi edhe sezonin e shkuar u bë e njëjta zgjedhje. Megjithatë, trajnerin Ilir Daja e shqetëson jo pak gjendja e skuadrës dhe mungesat e shumta, ku shpresohej që në këto ditë të para të qershorit, të ishin bërë disa afrime në merkato. Veç afrimeve, pritej të riktheheshin edhe lojtarët që janë me pushime, por diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe në Ohër, skuadra do të jetë me mungesa të shumta.

MUNGESAT- Andre Teikseira dhe Nani janë dy lojtarët portugezë që ende nuk janë bashkuar me ekipin. Qendërmbrojtësit i përfundon kontrata në fund të muajit qershor dhe mes palëve, ende nuk ka një marrëveshje që mund të vendosë të ardhmen e lojtarit, duke mbetur gjithçka në ajër deri në këtë pikë të përgatitjeve.

Nga ana tjetër, sulmuesi Nani që me fanellën e Dinamos ka luajtur disa pozicione në fushë, është ende në Portugali dhe i ka bërë të ditur klubit se nuk do që të rikthehet. Futbollisti është nën kontratë dhe klubi dhe nuk ka lejuar që ai të largohet në këtë mënyrë, duke u kthyer në çështje për momentin, e cila është edhe çështja më e nxehtë, për vetë faktin se lojtari ka kontratë me kryeqytetasit. Ditët në vijim, pritet të shihet se çfarë do të ndodhë mes palëve, me Nanin që nuk do ta ketë të lehtë karshi klubit, për më tepër që të gjitha detyrimet financiare janë shlyer.

Ndërkohë, probleme ka edhe për lojtarët që kanë vendosur që gjatë pushimeve, të udhëtojnë në drejtim të Afrikës. Lojtarët afrikanë, ende nuk kanë mbërritur në skuadër për shkak të largësisë, por edhe disa burokracive me dokumentacionin e tyre. Megjithatë, këta lojtarë pritet të bashkohen me skuadrën edhe pse mund të humbasin një pjesë të mirë të fazës përgatitore. Diçka e tillë, ka sjellë shqetësim te trajneri Ilir Daja i cili do të detyrohet të bëjë fazën përgatitore me skuadër të cunguar dhe diçka e tillë, nuk i lejon atij dhe stafit teknik që të punojnë siç mund të ishin përgatitur.

MERKATOJA- Sa i përket merkatos së verës, deri më tani Dinamo ka afruar vetëm Almir Ajzerajn. Sulmuesi i krahut që aktivizohej me Dritën, tashmë është vënë nën urdhrat e trajnerit Daja dhe është afrimi i vetëm zyrtar. Me skuadrën, do të bashkohet edhe Hekuran Berisha. Sulmuesi që u huazua në janar te Dukagjini, ka përfunduar aventurën e tij me skuadrën kosovare dhe tashmë do të vihet nën urdhrat e trajnerit Daja.

Berishës i është dhënë një leje më e gjatë në krahasim me të tjerët duke qenë se kampionati në Kosovë ka përfunduar më vonë dhe pas kampionatit, sulmuesi u angazhua edhe me Kosovën U21, duke mos pasur mundësi që të pushojë. në Ohër, pritet që të ketë edhe afrime të reja ku Dinamo është shumë pranë akordit edhe me mesfushorin Gentrit Ramusa, i cili zyrtarisht ka mbyllur bashkëpunimin me Ferizajn dhe pritet të jetë pjesë e skuadrës së Dinamos. Drejtuesit janë duke tentuar që të afrojnë edhe lojtarë të tjerë në repartin e sulmit dhe mesfushës, pasi momentalisht, mbrojtja duket më e plotësuar.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL